TIRANE – Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti pritet të zhvillojë sot takime të ndara me 6 ambasadorë të akredituar në vendin tonë, në lidhje me zhvillimet më të fundit në Preshevë.
Mësohet se takimet e ministrit do të nisin fillimisht me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu rreth orës 09:30. Më pas në zyrën e kryediplomatit do të mbërrijë ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, rreth orës 14:30 .
Takimet do të vijojnë më pas me delegacionin e BE-së në 15:00, ambasadorin britanik në 15:30, ambasadoren gjermane në 16:00 dhe në fund me ambasadoren franceze në 16:30.
Autoritetet serbë hoqën të dielën pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë. Ky akt u shoqërua me reagime të ashpra në Prishtinë dhe në Tiranë.
Mijëra shqiptarë protestuan në sheshin qendror të Preshevës në shenjë revolte kundër aktit të autoriteteve serbe për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së. Përveç protestës, liderët politik të këtij rajoni kanë theksuar se do të formojnë grupin e unitetit dhe do të hartojnë një platformë të re kërkesash për zgjidhjen përfundimtare të statusit të shqiptarëve në këtë rajon.
Siç mësohet një numër i madh i xhandarmerisë serbe janë stacionuar në zonën në afërsi të kufirit me Kosovën, në pjesën e Karadakut.
Ndërkohë që protesta ka pasur edhe në Tiranë. Klubi i Patriotëve të Rinj protestoi sot para ambasadës serbe, kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Luginën e Preshevës. Mes brohoritjeve “Presheva është Shqipëri” apo “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri” Klubi i Patriotëve të Rinj i kërkoi qeverisë shqiptare që të dëbonin ambasadorin serb në Tiranë për padrejtësinë që iu bë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
BERISHA: DO SHQYRTOJMË MARRËDHËNIET ME SERBINË
Pak ditë më parë Kryeministri Berisha reagoi ashpër në lidhje me heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga sheshi qendror i Preshevës. Kryeministri tha se pas këtij akti qeveria shqiptare do të shqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë. Sipas kryeministrit, “ky akt dëshmon se ka vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë ato që fituan me gjak.”
“Me forcën e mitralozave, autoblindave, njësive speciale, u shkul nga qendra e Preshevës përmendorja e heronjve të kombit shqiptar të Luginës së Preshevës. Eshtë në të drejtën e autoriteteve lokale të vendosin institucionet e tyre kulturore, shtatoret dhe simbolet e tyre. Deri dje ata u ulen në marrëveshje me ta, por jo vetëm që nuk i zbatuan marrëveshjet, por me një gjuhë të denjë vetëm për ta, i krahasuan me Al Qaedan. Urrejtja ndaj shqiptareve është e akumuluar në shekuj, është e induktuar në qeliza dhe këto zhvillime tregojnë se është iluzion të mendosh se ata do të mund të çlirohen nga urrejtja ndaj shqiptarëve. Uroj dhe dëshiroj që shqiptaret të punojnë për bashkimin e tyre me njëri-tjetrin, si rruga më e sigurt e ndërtimit të së ardhmes, por edhe e çlirimit të fqinjëve tanë nga fobitë shekullore të akumuluara ndaj shqiptarëve”,- u shpreh Berisha.
Kryeministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos përdorin standarde të dyfishta për serbët në Mitrovicë dhe shqiptarët në Preshevë.