TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi sot në lidhje me vdekjen e shefit të krimeve Musa Skura, duke hedhur akuza të forta në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Në një prononcim për mediat nga selia rozë, Rama deklaroi se “Policia e Shtetit është e tradhtuar nga kupola e inkriminuar dhe e korruptuar që e drejton.” Shefi i opozitës e krahasoi luftën e policisë kundër krimit si një lojë futbolli, që siç tha ai është shitur nga drejtuesit e skuadrës.
“Krimi vrau shërbëtorin e shtetit. Policia e Shtetit është e tradhtuar, e abuzuar, e rrënuar. Raporti profesionalizëm-klientelizëm partiak është përmbysur kokëposhtë dhe këto janë rezultatet. Kupola drejtuese është e inkriminuar dhe e paaftë. Ministri i Brendshëm është një partiak i rëndomtë i llojit më të keq, papagallon kryeministrin sa herë del në ekran dhe merret vetëm me vendosje njerëzish në struktura për zgjedhjet. Brenda policisë, këto dhe shumë më tepër se këto dihen. Lufta e tyre me krimin sot është si një ndeshje futbolli e shitur nga pronari i skuadrës. Drejtoria e përgjithshme e policisë është fryre mbi dyfish, duke u kthyer si një komitet partie ku janë sistemuar githëfarë militantësh. 200 drejtorë me kompetenca të mbivendosura, që s’merret vesh kush bën çfarë. Janë drejtorë që nuk drejtojnë, por drejtohen, disa herë në një rrugë tjetër, në një kohë që në anën tjetër i hapet rruga krimit.”- u shpreh Rama.
Shefi i opozitës iu referua shifrave të kriminalitetit në vend, duke theksuar se qytetarët shqiptarë janë sot më të pasigurtë se në asnjë vend tjetër.
“Kur PD erdhi ne qeveri evidentoheshin 8250 krime, në 2012-ën u evidentuan 20688 krime. Vit pas viti kemi një mesatare rritje prej 1500 krimesh. Policia e ka gjendjen si asnjëherë tjetër jashtë kontrollit pas vitit “97. Kemi koefiçentin e vrasjes për banorë më të lartin në Europë.”- vijoi Rama.
Kryesocialisti hodhi akuza edhe në lidhje me trajtimin financiar të policëve, pasi sipas tij, ata kanë pagat më të ulëta në të gjithë rajonin dhe nuk paguhet për oraret shtesë.
Më tej, shefi i opozitës theksoi se programi i PS-së ka në thelb ringritjen e dinjitetit të policisë, për tu rikthyer qytetarëve sigurinë.
“Në 300 ditët e para të qeverisjes sonë shqiptarët do të shohin me sytë e tyre një polici shteti që nuk e kanë parë asnjëherë. Policia e Shtetit do vihet në shërbim të qytetarëve si një garanci për sigurinë e tyre. Nëse loja nuk shitet në kupolën e Ministrisë së Brendshme skuadra e policisë së Shtetit fiton në çdo ndeshje me krimin dhe kriminelët.”-përfundoi Rama.