GREQI– Një aksident i dyfishtë, ku janë përfshirë 27 makina, ka ndodhur sot paradite midis Selanikut dhe Verias, në vendin e quajtur Imathia, në rrugën Egnatia.
Si pasojë e aksidentit një grua, drejtuese mjeti, ka mbetur e vdekur, ndërsa 24 të tjerë janë plagosur.
Ndër të plagosurit, 3 janë fëmijë, ndërsa 4 persona janë në gjendje të rëndë.
Përplasja e parë me 19 mjete, ndodhi kur një shofer kamioni humbi kontrollin për shkak të mjegullës së dendur.
Rreth 500 metra larg nga përplasja e parë, ndodhi një tjetër aksident, ku u përfshinë edhe 8 makina.
Sipas policisë, një grua ka mbetur e vdekur nga aksidenti i parë, ndërsa 24 njerëz u plagosën gjithësej në të dyja aksidentet.
Të plagosurit janë transportuar në spitalet në Verias dhe Selanikut, ndërsa rruga u bllokua.
Policia iu kërkon shoferëve të lëvizin me kujdes me shpejtësi të ulët në këtë rrugë, duke patur dritat ndezur dhe në përputhje me udhëzimet e kontrollorëve të trafikut.