TIRANE – “Një dollar bamirësi ka vetëm një jetë. Një dollar i investuar në Biznes Social mund të riinvestohet sërish”, ky është parimi që i ka mundësuar Prof Muhamad Yunus, ngritjen e bankës më të madhe të mikrokredisë Grammen Bank dhe fondit Yunus për ngritjen e bizneseve sociale për të ulur varfërinë në botë.
Idetë dhe parimet e tij, Prof. Yunus i solli dhe gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën “Dita e Biznesit social në Shqipëri” e zhvilluar të martën në Tiranë.
Prof. Yunus, i cili erdhi në Shqipëri me ftesë të Kryeministrit Berisha, u shpreh se krahasuar me tre vjet e gjysmë më parë, kur ai zhvilloi takimin e parë me Kryeministrin, Shqipëria ka nisur të bëj hapa konkretë lidhur me iniciativat për Biznesin social.
“Dje vizitova disa biznese sociale në Shqipëri. Njëra prej tyre ishte shumë interesante, një grua që prodhonte disa punimeve artizanale, ishte punësuar në punishten e saj dhe 12 gra të tjera. Ne do ta ndihmojmë atë në marketimin e dhe gjetjen e tregut për shitjen e këtyre produkteve me çmime më të mira. Në këtë mënyrë ajo zhvillon biznesin e saj dhe mundëson punësimen e të tjera grave”, u shpreh Yunus, duke iu referuar vizitës së tij të djeshme në disa Biznese Sociale në Shkodër dhe Lezhë.
“Ne kemi krijuar një fond për biznesin social dhe po mundohemi të ndihmojmë secilin prej këtyre projekteve. 10 bizneset e para sociale do ti nisim pa ndërprerje dhe për to na nevojiten 1 milion euro. Dhe këto investime nuk janë para për bamirësi, por janë para që do të kthehen sërish, pasi të investohen për këto projekte” theksoi Yunus.
Sipas Nobelistit, problemi që ekziston në Shqipëri është një problem i njëjtë për të gjithë botën, që prodhuesit nuk marrin para të mjaftueshme, por ndërmjetësuesi është ai që merr pjesën më të madhe të parave.
Yunus, gjatë fjalës së tij solli në vëmendje dhe ngritjen e një qendre të formimit profesional. Pasi për të, jo të gjithë duhet të kenë një diplomë universiteti apo shkolle të mesme, disa duhet të kenë dhe një certifikatë të një kursi profesional. “Sfida jonë për të realizuar biznesin social këtu në Shqipëri është një mundësi që dhe bota më pas të pyesë se si ja dolët ju”, tha ai duke iu referuar memorandumit të bashkëpunimit të firmosur ditën e djeshme për ngritjen e një Biznesi Social në Tirana Biznes Park.
Duke falenderuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Berisha, për mbështetjen, Yunus u shpreh se "Qeveria nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e qytetarëve, por duhet të krijojë mundësi që njerëzit të zgjidhin vetë problemet e tyre”, tha Nobelisti Yunus, që me eksperiencën e tij në ngritjen dhe zhvillimin e një nga Bankave më të mëdha të mikrokredisë Grameen Bank, ka modernizuar konceptet e mikrokredisë dhe mikrofinancës për të varfrit që, për shkak të gjendjes së tyre ekonomiko-sociale, nuk kanë akses për kredi bankare tradicionale.