TIRANE – Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, priti në një takim të veçantë kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ku diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta të dy institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale që lidhen me ushtrimin e detyrave nga funksionarët publikë. 

Kryeprokurori Llalla garantoi kreun e KLSH-së se organi i prokurorisë do të ndjekë me vëmendje çdo rast të referuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe do të bashkëpunojnë ngushtësisht për të ndjekur dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar që abuzon me pushtetin publik. 

Mësohet se në takim u diskutua edhe mbi rastet konkrete të referuara nga KLSH-ja në organin e Prokurorisë gjatë muajit janar 2013. Për të gjitha këto raste, rreth 35 në total, prokuroritë e rretheve gjyqësore tashmë kanë nisur hetimet dhe brenda afateve ligjore proceduriale do të vlerësohet mbi këto çështje.