Londër, 22 janar – Treqind vizatime nga ekspozita e vitit 1950, që tregojnë anën më të ndejshme të artistit Andy Warhol, do të prezantohen për herë të parë në publik. Kur Daniel Blau, pronar i një galerie, kishte takuar përgjegjësin e fondacionit “Andy Warhol” në New York dhe e kishte pyetur nëse kishte ende vepra të papublikuara të artistit, ai nuk ishte treguar fort optimist. Por ai nuk mund t’u besonte syve kur pa vizatimet e harruara që kishin qenë të mbyllura për më shumë se njëzet vjet. 

“Ishte e pabesueshme … thjesht e pabesueshme”, i ka thënë Blau “Guardian”. “Fondacioni Warhol në Crozier duket si një spital – një dhomë gjigante me dyer metalike, kështu që ti vetëm ulesh dhe pret se çka vjen. Asnjëherë nuk e prisja që diçka e tillë do të ishte ende aty. Ngjante sikur dikush po hapte një thes me lodrat e tua të preferuara me të cilat kishe luajtur sa ishe fëmijë dhe kur ke shkuar në shkollë, i kishe vënë në një vend dhe nuk i ke parë prej atëherë. Pastaj dikush vjen tridhjetë vjet më vonë dhe thotë a të kujtohet kjo? E ti mbetesh pa fjalë dhe thua, po më kujtohet!”. Treqind vizatimet nga viti 1950 janë një zbulim i rrallë dhe do të publikohen për herë të parë javën e ardhshme. Ato shpërfaqin anën tjetër të Andy Warhol, një artist që më shumë ishte identifikuar me artin pop. Këtu, thotë Blau, ne e shohim artistin më të shkathët dhe më të ndjeshëm derisa prodhon imazhe që më shumë i afrohen atyre të Egon Schiele sesa pop-artit. Blau ka thënë se vizatimet po ashtu pasqyrojnë praktikën e punës së Warhol dhe ndikimet që kishte pasur. 

“Këtu shihet nga vjen ai. Ato tregojnë se ai është piktor i jashtëzakonshëm”, ka thënë ai. 

Vizatimet do të publikohen në një libër të ri me redaktor Blaun dhe do të ekspozohen në muzeun “Louisiana” në Danimarkë e më vonë edhe në Holandë, ku do të jenë edhe në shitje për koleksionuesit. Vepra më fitimprurëse e Warhol kishte qenë piktura “Eight Elvises” që u shit në vitin 2008 për 100 mijë dollarë, derisa në nëntor të atij viti u shit edhe “Statue of Liberty” e vitit 1962, për 39 mijë dollarë. Vizatimet e Warhol po ashtu nuk janë të lira. Në ankandin që “Sotheby” e ka paralajmëruar për muajin e ardhshëm në të cilin përfshihen vepra të artit bashkëkohor, do të nxirret në shitje edhe vizatimi i vitit 1983 i Alfred Hitchcock, që ka vlerën fillestare prej 10 -15 mijë funtesh. Derisa vizatimet e vitit 1950 mund të çojnë në një dimension të ri në tregun e Warhol, mund të kenë edhe historitë e veta. 

“Ende jam duke hulumtuar dhe duke zbuluar për secilën. Është shumë fascionuese”, ka thënë Blau. Disa nga rrëfimet e këtyre vizatimeve janë më të qarta sesa të tjerat. Për shembull, ka fotografi të një djaloshi të ri duke injektuar drogë. Tjetra pasqyron një vajzë, që është shndërruar në imazh të albumit “Blue Lights”, të jazz kitaristit Kenny Burrell. Warhol po ashtu kishte vizatuar i inspiruar direkt nga fotografitë, si është njëra e flamurit me të cilin nderohet Princi Filip kur e kishte vizituar SHBA-në në mes të viteve ‘50. Një tjetër vizatim i përket vitit 1911, derisa ka edhe vizatime që ndërlidhen me veprat e fundit të artistit. Një tjetër vizatim i vitit 1958, me titull “Face Repeated Eight Times”, reflekton obsesionin e tij me përsëritjet. Vizatimet e preferuara të Blau janë imazhet e një vajze serioze, të realizuara në vitin 1954 dhe 1951, kur Warhol kishte qenë vetëm 22 ose 23-vjeçar. Blau, i cili ka galeri në Londër dhe Munih, ka bashkëpunim të gjatë me fondacionin “Andy Warhol”. Ai e kishte organizuar ekspozitën e parë me vepra të Warhol më 1995, tetë vjet pas vdekjes së artistit, në kohën kur ishte pothuajse e pamundur të gjesh blerës të veprave të tij. Në vitin 2011, Blau kishte rënë në kontakt me Vincent Fremont, që ndërlidh fondacionin “Andy Warhol” me dilerët e artit, dhe ishte interesuar të gjente vizatimet.