TIRANE –Komisioni Ligjeve nisi shqyrtimin e çështjes së shpërndarjes së mandateve për zgjedhjet e 23 qershorit. Dy partitë e mëdha politike PD-PS vijojnë akuzat e ndërsjella për këtë çështje. Deputeti demokrat Edi Paloka akuzoi anëtarët e majtë të KQZ-së se po pengojnë miratimin e mandateve. Sipas Palokës, kuvendi ka kompetenca të plota ligjore për ndarjen e mandateve, dhe “rruga e vetme për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në KQZ mbetet lënia në fuqi e mandateve të 2009-ës”.
Nga ana tjetër, socialistët pretendojnë se kërkesa e KQZ-së drejtuar parlamentit përbën një precedent të rrezikshëm për legjislativin. Deputeti socialist Fatmir Xhafaj theksoi nevojën e një seance dëgjimore me kryetarin e nënkryetarin e KQZ-së për këtë çështje.
Kërkesa e tij u miratua dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli bëri të ditur se ditën e mërkurë do të zhvillohet seancë dëgjimore me kryetaren e KQZ-së Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba.
Ndërkohë për Lëvizjen Socialiste për Integrim akuzat PD-PS janë vetëm një lojë mediatike. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani në një intervistë për NEWS24 pak ditë më parë, akuzoi dy partitë e mëdha se e kanë politizuar KQZ-në. Për Manjanin, shmangia e KQZ-së është e paligjshme, ndërsa procedura parlamentare për këtë çështje ligjëria ka mangësi. Sipas Manjanit, PD-PS kanë rënë dakord që çështja të zgjidhet në kuvend. Ndërsa ndarja e vitit 2009, për Manjanin është e papranueshme.
Konferenca e Kryetarëve përfshiu në axhendën e punimeve të Kuvendit kërkesën e KQZ-së për mandatet. Kërkesa në fjalë parashikon që Kuvendi të votojë shpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 qershorit.
“Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. Në çdo rast, numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit”, thuhet në nenin 76 të Kodit Zgjedhor.