TIRANE – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje se koalicioni me PD-në kishte funksionuar më mirë se ç'e kishte menduar para se të lidhte aleancën. Ai i bëri këto komente në emisionin "Zip" në televizionin "Vizion Plus". 
 

Z. Meta, një komenti juaj në lidhje me çështjen e mandateve?

Unë mendoj se duhet bashkëpunim për një ndarje të mandateve sipas ligjit. Natyrisht që kjo duhet bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë në çdo rast do të ketë një ndarje të mandateve që do të thotë se në rast së ky bashkëpunim nuk do të ekzistojë, do të mbetet ndarja ekzistuese. 
 

LSI është për ndarjen mandateve të vitit 2009, apo për atë të vitit 2012?

Ne jemi për ndarjen e drejtë sipas ligjit. Por ju e keni ndjekur që ka pasur kontestime nga ana e Partisë Socialiste lidhur me një shtim të popullsisë në disa komuna të Qarkut të Kukësit, e cila sipas tyre, synon një ndarje jo të drejtë. Kjo ka qenë arsyeja që ka bllokuar konsensusin në KQZ. Ndërkohë që ne kemi shprehur një shqetësim se një rindarje e mandateve nuk duhet të cenojë në mënyrë të padrejtë Qarkun e Beratit. 
 

A cenohet barazia e votës në qoftë se mbetet në fuqi ndarja e vitit 2009?

Në themelin e këtij kodi ekzistues është pabarazia e votës dhe në qoftë se ekziston shqetësimi se po bëhet apo nuk po bëhet një rindarje për arsye se janë shtuar në Kukës 500 banorë, apo janë pakësuar në Berat 300, duhet të kemi parasysh se ky është kodi që ka sanksionuar pabarazinë e votës, duke vendosur pragje të ndryshme elektorale, nga 3% në Tiranë në 25% në Kukës. Njëkohësisht një deputet mund të hyjë me 4 mijë vota dhe një tjetër mund të dalë edhe me 15 mijë vota. Pra në themel të këtij kodi të bërë nga PS dhe PD nuk është barazia e votës. 
 

Në qoftë se ka vërtet një marrëveshje PD-PS për ndarjen e mandateve, cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë LSI-ja? Cenohet koalicioni në qoftë se kjo marrëveshje bëhet?

Ne nuk i druhemi një bashkëpunimi PD-PS. Ne e kërkojmë që ata të bashkëpunojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe parimore, që të mos kemi asnjë lloj anomalie apo edhe kontestimi të këtij procesi, të ndarjes apo rindarjes së mandateve. 
 

Z. Meta, sot jemi dy vite pas 21 janarit. Cili është qëndrimi juaj sot?

Qëndrimi është se organet e drejtësisë duhet të vazhdojnë procesin e nisur për të nxjerrë përgjegjësit. Si për ata që mbajnë përgjegjësi për humbjen e jetës së 4 protestuesve, ashtu edhe për organizatorët e protestave të dhunshme. 
 

A mendoni se do të vihet drejtësi?

Kjo mund të thuhet në fund të këtij procesi dhe jo tani, kur ai është një proces në vazhdim.
 

Kemi dëgjuar shpesh edhe faktin se duhet të gjykohen edhe ata që organizuan protestën. A mendoni ju se do të bëhet drejtësi për sa i takon edhe kësaj pjese?

Unë mendoj se drejtësia duhet për të dyja palët, sepse ka pasur një konflikt të qartë, të hapur dhe këtë ka kërkuar edhe komuniteti ndërkombëtar, drejtësinë e vërtetë. 
 

Sot dy vite më pas, a ka ndryshuar qëndrimi juaj në lidhje me këtë ngjarje?

Absolutisht! Po të ishim edhe dy vite më pas, unë këto deklarata do të bëja. Sot mund të them se sa e rëndësishme është për politikën të tregojë përgjegjësi ndaj njerëzve. E lehtë është për t'i çuar në një konflikt, por dramatike është njëkohësisht të krijosh konfliktin. 
 

Z. Meta, kryetari i Partisë Socialiste ka ndryshuar qëndrim kohët e fundit në lidhje me ju. Po ju vetë, a keni ndryshuar qëndrim për sa i takon z. Rama?

Për mua nuk ka qenë asnjëherë shqetësim, por ka qenë kënaqësi kur kam dëgjuar akuza të tilla. Përderisa unë jam në politikë, natyrisht që jam i hapur për të dëgjuar çdo gjë rreth personit tim. Lidhur me personalitetin tim flet vota dhe vota më 8 maj ka folur ndryshe edhe vota më 23 qershor përsëri do të flasë ndryshe, sepse jam plotësisht shumë krenar që jam në mbështetje si politikan, i cili për shkak të akuzave ka dhënë, në respekt të opinionit publik dhe të sensibilitetit të tij lidhur me çështjet e korrupsionit, dorëheqjen nga të gjitha funksionet zyrtare dhe njëkohësisht ka kërkuar që të mos mbyllë me proceduara një çështje gjyqësore ndaj tij, por i ka shkuar deri në fund. Në këtë drejtim mendoj se të gjithë duhet të ndjekin këtë shembull dhe jo të fshihen përpara drejtësisë. 
 

Si do ta përkufizonit ju bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike?

Kur kemi marrë vendimin për të ndërtuar koalicionin me PD-në, mund t'ju them se kam qenë i bindur se ishte i vetmi vendim i arsyeshëm që mund të merrej në atë moment, pavarësisht se ka qenë një vendim i paparashikueshëm. Natyrisht që edhe unë kam pasur dozat e mia të skepticizmit lidhur me funksionimin e këtij koalicioni. Pas kaq vitesh mund të them se jo vetëm kemi marrë vendimin më të drejtë në atë kohë, pasi çdo vendim tjetër nuk do t'i shërbente as stabilitetit të vendit dhe as qëndrueshmërisë së institucioneve, por ky koalicion ka funksionuar më mirë seç unë e kam menduar në atë kohë. 
 

Nuk keni asnjë gjë që mund të jeni akoma skeptikë?

Unë si natyrë jam skeptik në tërësi, ashtu siç jam gjithmonë optimist, por absolutisht që mendoj se problemi kryesor në këto 4 vite nuk ka qenë funksionimi i këtij koalicioni, por problemi i një klime më bashkëpunuese dhe më konstruktive në parlament dhe në vend midis mazhorancës dhe opozitës. Ne nga ana jonë kemi bërë disa përpjekje për të ç'tensionuar këtë raport dhe për të vendosur disa ura bashkëpunimi, me qëllim arritjen e disa objektivave të përbashkëta, që kryesisht kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit. Sfida për të ardhmen mendoj se mbetet përsëri forcimi i bashkëpunimit në parlament midis palëve dhe marrja e përgjegjësive të përbashkëta për sfidat që ka vendi. 
 

Kemi 4 vite gati që kemi aplikuar për marrjen e statusit dhe nuk e kemi marrë akoma. Sa është bërë gjatë këtyre viteve në bashkëqeverisjen tuaj për integrimin e vendit?

Besoj se integrimi nuk ka qenë një proces që është penguar nga përmbushja e detyrimeve të mazhorancës, përkundrazi. Parë në këtë këndvështrim, mendoj se statusi i vendit kandidat do të ishte marrë 3 vite më parë. Mazhoranca tregoi vullnetin e saj për të realizuar standardet dhe kërkesat sikurse ishte fakti që u plotësuan qindra kritere ligjore e teknike për liberalizimin e vizave, që është tani një sukses, i cili është prekur nga 1 milion e gjysmë shqiptarë. Të gjitha çështjet dhe detyrimet që kanë pasur të bëjnë me procesin e integrimit janë përmbushur, që nga pyetësori dhe çdo ligj tjetër që ka qenë brenda mundësive të kësaj mazhorance për të miratuar. Për fat të keq ky problem ka mbetur tek aprovimi i tri akteve që kërkojnë 3/5 e votave, pra edhe ato të opozitës. Ndaj unë e theksova se problemi kryesor i këtyre viteve nuk ka qenë funksionimi i koalicionit qeverisës, i cili edhe ai mbetet për t'u gjykuar, sepse gjithmonë ka vend për diskutim, por problemi kryesor ka qenë klima jokonstruktive në marrëdhëniet midis opozitës dhe mazhora-ncës. 
 

Ju besoni se na ka penguar vetëm mosmiratimi i këtyre tri ligjeve për marrjen e një përgjigjeje pozitive për statusin?

Absolutisht që unë kam besimin se vetëm kjo çështje na ka penguar, ashtu siç kam besimin se në rast se ne do të kishim plotësuar kërkesat që kanë qenë prej kohësh, statusin mund ta kishim marrë edhe para 3 vitesh, edhe para 2 vitesh. Madje atëherë ka qenë edhe më e lehtë, sepse kriza në BE nuk ka qenë kaq e mprehtë sa ç'është sot. 
 

Do të bëni një koalicion parazgjedhor me PD-në për zgjedhjet e 23 qershorit, siç kërkohet nga Partia Demokratike?

Mendoj se jemi herët për shpalosjen e koalicioneve të ardhshme. Për ne është e rëndësishme të jemi korrektë dhe t'i qëndrojmë marrëveshjes 4-vjeçare që kemi me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2009. Natyrisht që ne e kemi shprehur edhe më parë që do të jetë Konventa Kombëtare e LSI-së në muajin prill, e cila do të shprehet edhe për vendimin se si LSI do të paraqitet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ne dëshirojmë që këtë debat ta hapim në kohën e duhur dhe jo në mënyrë të parakohshme dhe të marrim një vendim të përgjegjshëm e transparent. 
 

Keni filluar të takoheni me z. Idrizi, kryetarin e PDIU-së apo jo?

Jo vetëm me z. Idrizi, por jemi takuar me të gjithë politikanët. Me z. Idrizi jemi takuar edhe për shumë arsye të tjera dhe një prej tyre ka qenë dhe mbetet rezoluta për çështjen çame, një rezolutë që ne e kemi përkrahur dhe e përkrahim fuqimisht. 
 

Duke pasur parasysh programet, afër kujt force politike e ndien më afër veten LSI-ja?

LSI-ja gjen pika takimi me shumë forca të ndryshme politike, ashtu sikurse vështirë të gjesh një përputhje të plotë me secilën prej tyre. Kjo është më se normale, por për ne mbetet angazhimi i çdo force politike lidhur me përshpejtimin e integrimit evropian të vendit dhe së dyti, parësore për ne mbetet një program që mbron vendet aktuale të punës dhe shton vende të reja të punës dhe një politikë ekonomike, që është në funksion të rritjes së punësimit. Edhe këtu ne do të jemi si gjithmonë të qartë dhe konkretë. 
 

Cilat janë pikat e LSI-së për sa i përket ekonomisë dhe a e mbështet propozimin e FMN-së për rritje taksash?

Në radhë të parë, unë dua të shpreh një keqardhje lidhur me një fushatë për heqje taksash. Kemi dëgjuar një program që synon heqjen e taksave, i cili për mua është një demagogji se sa një politikë reale. Në këtë kohë krizash siç e thatë edhe ju, FMN-ja kërkon rritje të taksave për arsye sepse kërkohet rritja e të ardhurave. Ne jemi kundër çdo lloj demagogjie lidhur me politikat ekonomike, sepse ato të çojnë atje ku është sot situata në Greqi apo edhe në vende të tjera. 
 

Z. Meta, cili është qëndrimi juaj në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje në Preshevë?

Në fakt është një çudi e madhe ajo që ka ndodhur dje në Preshevë, sepse tregon se sa arkaik është lidershipi i sotëm i Serbisë, se sa provokues është dhe se sa i painteresuar është për fat të keq për paqen jo vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe në rajonin tonë. Ai nuk është një provokim vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por është një provokim edhe për shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo.