TIRANË– Kryeministri Sali Berisha i cilësoi sot muajt e fundit të legjislaturës së Kuvendit si muajt e përgatitjes së gjithanshme të fitores së shkëlqyer, të thellë dhe të plotë të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentart të PD-së, kreu i PD-së u shpreh se fitorja është plotësisht e merituar. “Fitore e merituar sepse në reformat e shqyrtuara, të votuara në këtë parlament u bë e mundur që Shqipëria në kohën më të vështirë të ekonomisë europiane dhe botërore të qëndrojë si një ishull rritjeje ekonomike. Si një ishull punësimi të vazhdueshën. Si një ishull që nuk ra në recesion”.
“Këto janë të vërteta tona të mëdha”, vijoi Kryeministri, “kjo bëri të mundur vendosjen e Shqipërisë në vendin e 4-t në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqënie për qytetarët.
Sipas Kryeministrit pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të bllokuar marrjen e statusit, Komisioni Europian rekomandoi marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë.
“Reformat bënë të mundur që me gjithë përpjekjet më absurd, më destruktive të opozitës, Shqipëria të rekomandohet nga KE për statusin e vendit kandidat, por që në emër të testamentit të etërve, neo-bllokmentët po bllokojnë me votat e tyre në Kuvend”, tha Berisha.
Natyrisht, shtoi Kryeministri, “në këtë periudhë sfidash të mëdha, problematikat janë të shumta. Ka papunësi, ka varfëri, ka mungesa, por nga përballimi i sukseshëm i këtyre sfidave siç thotë KE, Shqipëria është i vetmi vend ku nuk u rrit papunësia, por u ul”.
Sipas kreu të qeverisë, "jashtë krizave të rajonit rritja ekonomike do të ishte dyshifrore, po në tremujorin e parafundit të vitit të kaluar, rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 2.7%. Kjo në sajë të punës, mundit, djersës dhe suksesit të reformave tona. Janë hedhur bazat për një ngritje më të fuqishme këtë vit. Ky është viti i përpjekjeve më gjigande që vendi ka njohur në historinë e tij. Viti i Kaskadës së Devollit, i fillimit të gazjellësit TAP. Por krahas këtyre dy mega-projekteve, ekzistojnë dhe qindra e qindra projekte të tjera, të sektorit publik dhe sektorit privat në katër anët e vendit”.
Por shtoi Kryeministri, "Shqipëria është ndarë si kurrë ndonjëherë tjetër, në Shqipërinë e qendrave të qyteteve ku qytetarët marrin çdo ditë lajme e njoftime nga mediat dhe në Shqipërinë e padukshme, ku zhvillohet një veprimtari intensive zhvilluese, prodhuese, në të cilën sipërmarrja private bëhet gjithnjë e më e fuqishme”.
“Do të bëjmë gjithçka që këto muaj, ligji të konsolidohet, funksionojë, reformat të thellohen, dhe kjo është mënyra më e mirë për të bërë fushatën e fitores", tha Berisha.