TIRANE – Përplasje mes Policisë Bashkiake dhe Partisë Socialiste për transmetimin direkt të ceremonisë homazh të organizuar nga PS-ja në ambientet e kinema “Millenium”, pas marshimit të heshtur në bulevard. 

Policia Bashkiake nuk lejoi hyrjen në rrugën pedonale të studiove televizive, që do të mundësonin transmetimin direkt të kësaj ceremonie, me argumentin se nuk ishte kërkuar leje për parkimin e këtyre makinave në një rrugë siç është “Murat Topatani” ku nuk lejohet hyrja e automjeteve. 

Përmes një deklarate, kreu i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli, është shprehur se PS nuk kërkoi leje për futjen e automjeteve te "Pedonalja" dhe se kërkesa e saj duhej bërë 24 orë para aktivitetit. 
“Edhe pse kjo u kërkua sot janë marrë masat për mbarëvajtjen e aktivitetit”, – thuhet në shkresën e Policisë Bashkiake. 

Por PS-ja pretendon se ka kërkuar leje pranë Bashkisë së Tiranës. Në kërkesën që mban datën e sotme dhe të firmosur nga kreu i PS-së Tiranë, Sajmir Tahiri, i kërkohet Policisë Bashkiake mbështetje për marshimin e heshtur të opozitës. Në shkresën e zotit Tahiri kërkohej mbështetje për marshimin e heshtur që do të fillonte në sheshin “Austria” para PS-së, për të vijuar drejt bulevardit. Ndërsa marshimi, citohet në shkresë, do të vazhdonte edhe përgjatë rrugës "Pedonale" për të përfunduar në kinema “Millenium”. Fundi i pritshëm i marshimit është ora 14.00”,- shkruhet në kërkesën e PS.