PRESHEVE –  Autoritetet serbë hoqën të dielën pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë. Ky akt u shoqerua me reagime në Prishtinë dhe në Tiranë. Sot në Preshevë do të mbahet një protestë gjithëpopullore e shqiptarëve të Luginës. Ky ka qenë vendimi i marrë në mbledhjen e liderëve politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës lidhur me shqyrtimin e situatës më të re pas heqjeje së lapidarit të dëshmorëve nga sheshi i Preshevës, siç u quajt, nëpërmjet një akti vandal të xhandarmërisë së Serbisë. 

Siç raporton “Presheva Jonë”, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka bërë një pasqyrim të situatës, ndërsa kërkoi që të përfshihet në delegacionin për bisedimet Kosovë-Serbi. Mustafa i bëri thirrje gjithashtu edhe faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë për qetësimin e gjendjes. Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës do të takoheshin sot për të biseduar për fatin e lapidarit, por siç u shpreh një nga të pranishmit në takim, kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, “Serbia na preu në besë”. 

DAÇIÇ: NUK NEGOCIOJMË ME TERRORISTËT! 

Ambasadat amerikane dhe Britanike në Beograd kanë shprehur keqardhje për vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Serbisë për ta hequr monumentin e UÇPMB-së në Preshevë. Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se “ka mbaruar rrëfimi për monumentin në Preshevë”. Sipas tij, ai nuk ka shkaktuar krizë, por se ajo është shkaktuar “nga shqiptarët në jug të Serbisë”. 

"Unë nuk besoj se veteranët e Al-Qaedas pyeten në Shtetet e Bashkuara apo ata që kanë bërë akte terroriste në Londër e Madrid, nëse duan të vendosin monument”, ka thënë Dacic. “Fakti se Serbia dëshiron të negociojë, dikush këtë e sheh si dobësi tonën”. 

"I keni dëgjuar deklaratat e tyre, se ata do të vazhdojnë të luftojnë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Cili komuniteti ndërkombëtar? Mbase unë e njoh bashkësinë ndërkombëtare dhe negocioj me ta",- ka shtuar ai. 

“Në Serbi do të respektohen ligjet. Thaçi mund të vë doganierët në pikëkalimet administrative e pastaj thonë se duhet të respektohen ligjet e Kosovës, e kur duhet të respektohen ligjet e Serbisë, hajt të bisedojmë. Nuk ka negociata me terroristët", tha Dacici dhe shtoi: “Me ata që lëvdojnë terrorizmin nuk mund të negociohet. Mund të negociohet me ata që duan të jenë pjesë e sistemit tonë politik dhe kushtetues. Nëse ne nuk kemi tregojnë tolerancë të mjaftueshme, atëherë unë nuk e di se kush”.