PRISHTINE – Fajin për heqjen e Lapidarit në Preshevë, sipas Vetëvendosjes e ka Serbia, ndërsa përgjegjësinë sipas tyre e mban qeveria e Kosovës. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se shumë masakra që janë bërë nga Serbia kanë ndodhur në fund të javës që do të thotë se Serbia nuk ka ndryshuar politikën me veprimin.
Sipas tij, çështja e Preshevës u kufizua vetëm me mbrojtjen e këtij lapidari më 17 janar dhe me një mobilizim të entuziazmuar gjithëshqiptar, gjw që sipas Kurtit, nuk është e drejtë. Kurti ka thënë se duke dialoguar me Serbinë, kryeministri i Kosovës ka ngjallur iluzione se Serbia ka ndryshuar, mirëpo sipas tij, ky dialog e ka inkurajuar dhe trimëruar edhe më shumë Serbinë e Daçiçit për të vepruar në këtë mënyrë, transmeton KTV.
Sipas kreut të Vetëvendosjes, sot shënohet një vjetori i rezolutës së PDK-së kundër reciprocitetit me Serbinë, prandaj sipas Kurtit duhet të mendojnë të gjithë se rruga e negociatave është rrugë e Serbisë dhe jo e Kosovës.