TIRANE – Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, inspektoi sot punimet në rrugën "Mujo Ulqinaku", me gjatësi rreth 377 metra.
"Kemi ardhur sot këtu, në një nga rrugicat që është në zemër të Tiranës, për të inspektuar rehabilitimin e rrugës “Mujo Ulqinaku”. Para disa ditësh ishim në një zonë informale të Tiranës dhe së bashku ecëm mes baltës dhe boshllëkut që kishte lënë aty bashkia e mëparshme, por shohim që i njëjti standard është ndjekur edhe në rrugicat që kanë formuar qytetin e Tiranës", tha Tabaku.
Ajo tha se rehabilitimi i kësaj rruge do i shërbejë komunitetit të kësaj zone me 3000 deri 5000 banorë, që do të përfshijë sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, rehabilitimin e rrugës me një gjerësi 4 deri në 6 metra, aty ku është e mundur, sepse rrugica është e ngushtë dhe fatkeqësisht disa ndërtime janë dhënë pa marrë parasysh përmirësimin dhe urbanizimin e zonës.
Projekti parashikon njëkohësisht edhe 100 metra gjelbërim, gjë të cilën kjo zonë e ka tërësisht të munguar si dhe ndriçimin në disa nga pjesët kryesore, një hapësirë e përbashkët si dhe disa sistemime e rregullime në disa prej rrugicave të vogla që ka rruga “Mujo Ulqinaku".
Tabaku theksoi se ky projekt është vetëm fillimi i investimeve në infrastrukturën rrugore në këtë njësi bashkiake, e cila sot nuk krahasohet as me rrugët më të vjetra të fshatrave më të thellë, të para 8 viteve.
"Ky projekt i paraprin edhe 5 investimeve të tjera në njësinë bashkiake nr.10, të cilat shumë shpejt do të fillojnë të zbatohen. Projekti i tyre ka përfunduar, janë tenderuar dhe do të vijnë për komunitetin brenda një periudhe të shkurtër", u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.
Projekti pritet të përfundojë brenda 6 muajve dhe ka një vlerë totale, rreth 17.7 milionë lekë.