TIRANE – Aleanca Kuq e Zi dënoi sot vendimin e qeverisë së Serbisë për heqjen e "Memorialit të UÇPMB-së" në Preshevë dhe e konsideroi veprimin e policisë serbe, "një akt provokues dhe kërcënues për shqiptarët në Luginën e Preshevës".
Në një njoftim për median AK deklaron se "Qeveria e Serbisë shkeli sot "Konventën e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër gjithë formave të diskriminimit, racizmit dhe të ksenofobisë", dhunoi haptazi "Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut", që është arritja më e madhe e Traktatit të Lisbonës së Bashkimit Evropian. Serbia injoroi "Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Komuniteteve Pakicë".
Gjithashtu vendimi i qeverisë së Serbisë shkeli haptazi "Konventën për Autonominë e Qeverisjes Vendore të Këshillit të Evropës".