TIRANE – E ndërsa dy partitë e mëdha politike PD-PS kanë duke akuzuar njëra tjetrën për çështjen e ndarjes së mandateve, për Lëvizjen Socialiste për Integrim kjo është një lojë mediatike. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani në një intervistë për NEWS-24 akuzon dy partitë e mëdha se e kanë politizuar këtë institucion.
Për Manjanin, shmangia e KQZ-së është e paligjshme, ndërsa procedura parlamentare për këtë çështje ligjëria ka mangësi. Sipas Manjanit, PD-PS kanë rënë dakord që çështja të zgjidhet në kuvend.
“Nëse do kishte parti më shumë të interesuar se gjithkush tjetër për të ndryshuar zonat zgjedhore, kjo duhet të ishte PS, sepse normalisht ajo i ka humbur zgjedhjet me ndarjen e vjetër dhe do kërkonte një ndarje të re. Çuditërisht PD nuk e luajti këtë lojë dhe ka hyrë në një marrëdhënie dashurie me PS. Çështja është teknike dhe KQZ duhet ta kishte marrë atë vendim. Dështimi për ta marrë atë vendim,m sipas kodit zgjedhor, duhet të korrektohej në Kolegjin Zgjedhor. Partitë politike kishin interes ta dështonin këtë proces. Duke e shndërruar KQZ në një zonë Aluizni zgjedhor për të legalizuar çdo dëm që bëhet. ”- deklaroi Manjani.
Në lidhje me qëndrimin e LSI-së, në sallën e kuvendit, Manjani thotë se nuk ka ende një qëndrim zyrtar, deri në momentin që nuk ka ende një ndarje të mandateve të deputetëve. Ndërsa ndarja e vitit 2009, për Manjanin është e papranueshme.