TIRANE – Kryeministri Berisha garantoi përfaqësuesit e kompanisë së Gazsjellësit Trans Adriatik për angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare në mbështetje të projektit TAP. Gjatë një takimi të zhvilluar sot me delegacionin e kryesuar nga Kjetil Tungland, drejtor menaxhues i kompanisë së Gazsjellësit Trans Adriatik, kryeministri theksoi se TAP është projekti më efikas dhe eficent i furnizimit të BE-së me gazin azer të Shah Denizit.
Takimi u zhvillua në kuadrin e firmosjes së Marrëveshjes Pritëse Qeveritare mes Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë TAP, si një dokument themeltar për konsiderim për projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik, nga Konsorciumi i Shah Denizit, në Azerbajxhan.
Në vijim, pritet që së shpejti të konkludohet edhe Marrëveshja Ndërqeveritare mes Republikave të Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë, rreth projektit të TAP-it.
Në takim, përfaqësuesi i TAP-it e informoi Kryeministrin Berisha mbi detaje të tjera të përgatitjes së projektit.
Dy ditë më parë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit të përkohshëm mes Qeverisë Shqiptare dhe Konsorciumit të TAP, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans- Adriatic Pipeline. Edmond Haxhinasto, Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njëherazi dhe zv/Kryeministër i vendit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u shpreh i sigurt për suksesin e projektit TAP.
Projekti për gazsjellësin TAP vlerësohet si një ndër më të rëndësishmit për vendin tonë dhe gjithë rajonin.