PRISHTINE– Deputeti Fatmir Limaj do të përballet me dy procese paralele gjyqësore: njëri për krime lufte e tjetri për krime ekonomike.
Limaj që ndodhet në paraburgim nga 24 nëntori i vitit të kaluar ka marrë ftesë për seancën e parë të shqyrtimit fillestar për rastin e Ministrisë së Transportit. Seanca pritet të mbahet më 7 shkurt në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë se të premten gjykata u ka dorëzuar aktakuzat dhe provat tjera të cilat nuk e di nëse do të mund t’i shfletojë deri më 7 shkurt.
Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet bazuar në Kodin e ri të Procedurës Penale. Ky kod parasheh dy seanca: njëra fillestare, ku nuk shqyrtohen provat, dhe tjera pas 30 ditësh në të cilën shqyrtohen provat dhe procesi hetimor.
Në këtë rast do të shqyrtohet aktakuza e prokurorit të EULEX-it, Johannes Pickert, kundër Fatmir Limajt, vëllezërve të tij, Demir e Florim Limajt, shefit të Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, ish-shefit të Kabinetit të Limajt, Endrit Shala, zyrtarit të teknologjisë informative në këtë ministri, Gani Zukaj, dhe pronarit të kompanisë për ndërtim rrugësh, Florim Zuka nga Gjilani.