GREQI- Optimizëm i përmbajtur në një raport të ri të FMN për Greqinë, ku Athinës i bëhet thirrje të fillojë zbatimin e masave të kërkuara nga kreditorët për daljen nga kriza. 

FMN vëren se në Greqi nuk është bërë asnjë lëvizje për reduktimin e 25 000 punonjësve në administratën publike. Kërkohet gjithashtu që reduktimet e pagave të bëhen me ritëm të shpejtë, të liberalizohet tregu, ndërkohë që vërehet se çmimet nuk kanë rënë. 

Raporti thekson se qeveria do të duhet të shkojë në një "numër të konsiderueshëm shkurtimesh dhe në mënyrë drastike të reduktojë evazionin fiskal". 

FMN kërkon masa të reja për 2 vitet e ardhshme për të mbyllur një vrimë prej 4 mld euro, dhe sugjeron që kjo të arrihet nëpërmjet shkurtimeve në kontributin e solidaritetit dhe në shpenzimet sociale për vitin 2015-2016. 

Raporti e cilëson borxhin grek sërish të paqëndrueshëm, gjë që mund të sjellë nevojën e një reduktimi të ri të tij. “Nëse këto masa nuk merren atëherë borxhi në vitin 2020 nuk do t’i arrijë parashikimet dhe Greqia do të mbetet sërish nën kujdestarinë e FMN”, thuhet në raport. 

Njëkohësisht në raport theksohet se SYRZA, (e cila në shumë sondazhe del forcë e parë politike) dhe partitë e tjera, që nuk mbështesin programin, mund të çojnë vendin në krizë politike duke shkaktuar një falimentim apo dalje të tij nga euro. 

SYRIZA ka reaguar menjëherë pas këtij raporti të FMN. "Kjo nuk është hera e parë që FMN ndërhyn në punët e brendshme të një vendi në mënyrë të hapur. Nuk ka mësuar asgjë nga dështimet e tij dhe fatkeqësitë shoqërore që ka sjellë në mbarë botën. FMN vazhdon të besojë se pikëpamjet e tij janë më të rëndësishme, sesa vullneti i popullit, i shprehur në mënyrë demokratike”. 

Vetëm 3 ditë më parë bordi i FMN lëvroi këstin e ndihmës prej 3.24 mld euro për Greqinë dhe shefja e tij Christine Lagarde deklaroi se ecuria në vend është e kënaqshme.