TIRANE– Në Ministrinë e Mbrojtjes ka mbërritur për një vizitë zyrtare një delegacion i lartë ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, kryesuar nga drejtori i Drejtorisë së Personelit në Shtabin e Përgjithshëm të FA-ve të Turqisë, gjeneral lejtnant Metin Iyidil. Në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe gjeneralmajor Ibrahim Aydin, shtatë gjeneral brigade, një kundëradmiral, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë.
Delegacioni i ushtarakëve të lartë të Turqisë u prit në një takim të veçantë nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami. Ministri Imami, pasi i ka uruar mirëseardhjen në Tiranë gjeneral lejtnant Metin Iyidil dhe delegacionit të ushtarakëve të lartë turq, ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Turqisë, veçanërisht bashkëpunimin, mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Turqisë kanë dhënë për forcimin dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura dhe inkuadrimin e tyre në strukturat e NATO-s. Gjithashtu, ministri Imami i njohu ushtarakët e lartë turq me zhvillimet dhe arritjet e shënuara nga Forcat tona të Armatosura, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO dhe shprehu bindjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe dy forcave tona të armatosura. Ministri Imami ka çmuar në veçanti rolin që Turqia jep për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ai ka falënderuar veçanërisht për ndihmën që i është dhënë FA-ve Shqiptare në këto 20 vjet nga Republika e Turqisë, sidomos për mbështetjen logjistike, shëndetësore, ndihmën në fushën e arsimit, ku në këto vite dhjetëra e qindra ushtarakë shqiptarë kanë studiuar dhe janë kualifikuar në Turqi.
Ministri Imami, më tej, ka folur për situatën në rajonin tonë, duke theksuar se tashmë Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina janë në rrugën e anëtarësimit në këtë aleancë, por edhe Serbia duhet të përfshihet në Aleancë si e vetmja rrugë për stabilitetin në Ballkan. Ministri Imami ka folur edhe për Kosovën, për zhvillimet dhe arritjet atje, si dhe për marrëveshjet dhe bisedimet që po zhvillohen me Serbinë. Në këtë kontekst, ai ka veçuar edhe mbështetjen e Turqisë për përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale.
Ministri Imami ka folur edhe për zhvillimin e aeroportit të Kuçovës, i cili mbetet prioritar, por që ka ende disa probleme që lidhen me shtetëzimin e disa tokave, për të cilat po punohet për të gjetur zgjidhje sa më shpejt. Gjithashtu, ai është ndalur edhe në procesin e demilitarizimit të municioneve të tepërta, proces, i cili, siç theksoi z. Imami, ka ecur me ritme të shpejta dhe brenda 6-mujorit të parë të këtij viti do të përfundojë.
Gjeneral lejtnant Metin Iyidil falënderoi ministrin e Mbrojtjes Imami për pritjen që i rezervoi delegacionit të ushtarakëve turq dhe ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe përparimet që FA Shqiptare kanë bërë në reformimin dhe transformimin e tyre. Gjeneral lejtnant Metin ka theksuar se, ne Shqipërinë e shohim si një vend vëlla, mik dhe aleat dhe jemi të lumtur që kemi dy dekada që bashkëpunojmë se bashku për forcimin e sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë.