TIRANE – Kryebashkiaku Lulzim Basha javën e ardhshme do të zhvillojë një vizitë në Abu Dhabi, për të diskutuar mbi financimin me 50 milionë euro të projektit të rehabilitimit të lumit të Tiranës, sipas projektit Grimshaw.
“Të hënën unë kam një takim me Fondin e Zhvillimit të Abu-Dhabit, me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku më është premtuar ndihmë me një kredi prej 50 milionë eurosh, për fillimin e këtij projekti strategjik”, tha Basha për mediat.
Projekti i bulevardit të ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës. konsiderohet si më i rëndësishmi për zhvillimin e qendrueshëm dhe afatgjatë të Tiranës.
Ndërtimi i bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës hap një mundësi të re për zhvillimin ekonomik dhe nxit punësimin, duke prekur 1/5 e qytetit në një prej pjesëve më të pazhvilluara të kryeqytetit.
Projekti i "Grimshaw Architects" parashikon që gjerësia e bulevardit të jetë 60 metra. Përgjatë tij do të jetë sheshi ku do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, sheshi komercial me qendra tregtare dhe sheshi i kulturës. Ndërsa makinat do të qarkullojnë në mes të bulevardit. Ndryshe nga projekti i parë, "DAR Group", i cili u vlerësua me çmim të dytë në konkurs, parashikon që makinat të kalojnë pas vijës së parë të ndërtimeve, ndërsa bulevardi të jetë vetëm për këmbësorët.
Për projektin e bulevardit konkurruan më 8 mars 20 studiot më të mira arkitekturore të botës, të cilat prezantuan masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha. Këto studio sollën dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth.