TIRANË-Ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi ka bërë apel që shteti shqiptar të vendosë drejtësi për 4 jetët e humbur në ngjarjet e 21 Janarit, 2 vite më parë. 
2 vjet pas ngjarjeve të rënda gjatë protestës së opozitës para godinës së qeverisë, Sequi thekson se ende nuk ka përfunduar hetimi dhe procesi gjyqësor. 

“Ne ndjejmë dhembshuri, por ky përjetor i dytë gjithashtu na shtyn të jemi përballë faktit se hetimi dhe procesi gjyqësor ndaj këtyre ngjarjeve ende nuk kanë përfunduar. Në respekt të atyre që humbën jetën dhe në respekt të parimit ligjor këto procese duhet të përfundojnë në kohë dhe të pavarur. Drejtësia duhet të vihet në vend!” 

Sequi kujtoi momentin kur mbërriti në Shqipëri dhe 3 ditë më pas ndodhën ngjarjet. 

“Po mendoja se pikërisht sot, para 2 vitesh kam arritur në Tiranë, më 18 janar dhe vetëm 3 ditë më vonë ndodhi kjo tragjedi. Një tragjedi që në atë kthim të dytin timin në Shqipëri më trishtoi së tepërmi”. 

Sequi shprehu indinjatë për humbjet e 4 jetëve, ndërsa theksoi se politikanët iu shqiptarëve që përfaqësojnë që të ndërtojnë një shtet ligjor më të fortë. 

“Dëshiroj që të bëj disa komente lidhur me këtë cështje. Mendimet tona shkojnë në radhë të parë, ndaj atyre që humbën jetën, ndaj familjarëve të tyre. Në këtë ditë të trishtuar do të doja dhe njëherë të shprehja indinjatën më të ndjerë për humbjen e tyre. Të gjithë politikanët shqiptarë u detyrohen atyre që përfaqësojnë që të ndërtojnë një shtet ligjor më të fortë. Dhe vetëm duke treguar se e kanë forcën për të zbatuar ligjin Shqipëria i ka mundësitë për tu intergruar në BE”.