TIRANË-Ministri i Punëve të Jashtmë, Edmond Panariti ka vlerësuar të suksesshme punën e vitit 2011 të kryer nga diplomacia shqiptare. 
"Mbrojtja e interesave kombëtare dhe atyre të qytetarëve shqiptarë, kanë qenë dhe do të mbeten vektori i vetëm që orienton veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme", deklaroi Panariti gjate prezantimit të analizës se punës vjetore për vitin 2011, nder te cilat Ministri theksoi punën e shkëlqyer që është bërë nga Shqipëria në marrdhënie me fqinjët. 

“Një prej boshteve kryesore të politikës së jashtme shqiptare është realizimi i një politike efikase rajonale. Në këtë drejtim, diplomacia shqiptare ka synuar drejt konsolidimit të mëtejshëm të rolit të Shqipërisë, si një aktore e rëndësishme në të gjitha zhvillimet rajonale. Gjatë vitit 2012 janë shënuar hapa të dukshëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit dhe ruajtjen e imazhit tonë si një faktor kyç paqeje e stabiliteti. Është fakt i pamohueshëm se kjo politikë konstruktive rajonale, e vlerësuar mjaft pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë, ka pasur një ndikim kryesor në krijimin e një klime mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në tërë rajonin”. 

Kosova 

Panariti theksoi se lidhur me shtetin e Kosovës, diplomacia shqiptare ka punuar fuqishëm në njohjen e shtetit të ri nga vende të Botës si dhe anëtarësimin në organizma ndërkombëtare. 
“Në bashkëpunim me diplomacinë kosovare dhe partnerët tanë, është lobuar fuqishëm për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e cila u konkretizua me 13 njohje të reja. Kosova ishte në fokusin e prioriteteve të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, ndërkohë që vendi ynë ka iniciuar rezoluta që i bëjnë thirrje vendeve të Organizatës së Bashkepunimit Islamik për njohen e saj. Aktiviteti ynë lobues i mirë-organizuar gjatë vitit 2012, ka dhënë rezultate pozitive në drejtim të pjesëmarrjes dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat rajonale, ku mund të përmendim anëtarësimin e Kosovës në BERZH/EBRD”. 

Më tej ministri i Jashtëm theksoi se Shqipëria vazhdon të mbështesë dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk pranon standarde të dyfishta për territorin verior të Kosovës. 
“Shqipëria ka mbështetur vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së dhe vëmendjen e pandarë të SHBA-ve, dhe inkurajon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani e të tjerave që do të vijojnë mes dy vendeve. Ne njohim pavarësinë e sovranitetin e Kosovës, integritetin e saj territorial, nuk jemi për standarde të dyfishta për territoret në veri të Kosovës”. 

Greqia 

Panariti vlerësoi sot se vizita e tij në muajin Tetor në Greqi shërbeu si kapitull i ri mes marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë. 
“Vizita ime në tetor në Athinë u cilësua si një kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve për të parë drejt së ardhmes pasi gjatë saj u diskutuan tema të rëndësishme, disa prej të cilave të mbetura pezull prej kohësh. Në marrëdhëniet tona me Greqinë kemi dëshmuar sinqeritet dhe vullnet bashkëpunimi, duke synuar gjetjen e mirëkuptimit për shumë çështje që prekin direkt interesat e qytetarëve tanë nga njëra anë, dhe krijojnë një klimë të qëndrueshme për fqinjësi të mirë”. 

Maqedonia 

Marrdhëniet me Maqedoninë, ministri i Jashtëm Panariti i cilësoi si të rëndësishme ndërsa theksoi se baza e ekzistencës dhe bashkëqeverisjes në këtë vend është respektimi i Marrëveshjes së Ohrit. 
“Të dyja palët të respektojnë marrëveshjen si bazë të ekzistencës dhe bashkëqeverisjes së këtyre kombeve”. 

Po kështu Ministri Panariti përshëndeti marrdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ruan me shtete si Turqia, Kroacia, Bosnja dhe Serbinë.

Integrimi 

Në kuadër të analizës vjetore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, kreu i këtij dikasteri vuri në dukej se cështja e integrimit ka qenë në qendër të diplomacisë shqiptare. 
“Kushti për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat në BE ishin 3 ligjet, dhe ne kemi vazhduar lobingun intensiv me BE. Kam takuar pothuaj të gjithë ministrat e BE dhe kam evidentuar se baza për vlerësimin e marrjes së statusit të vendit kandidat është progres raporti”.