TIRANE – Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit, kryeministri Berisha theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij, për të bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që të përmbushet aspirata për shndërrimin e Shqipërisë në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme. Sipas kryeministrit, investimet e rëndësishme për ndërtimin e HEC-eve në mbarë vendin, përbëjnë një ndër gjeneratorët më të rëndësishëm të punësimit në Shqipëri.
“Kjo mbledhje e Këshillit të Rregullimit të Territori të vendit ka dy çështje madhore në rendin e ditës, së pari janë hidrocentralet dhe Shqipëria superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon. Sot ne miratojmë këtu disa HEC-e, të cilët së bashku do të punsojnë mijëra qytetarë dhe kryesisht banorë të zonave aty afër, natyrisht teknikë dhe inxhinierë ndër më të mirët e vendit. Ndërtimi i HEC-eve në mbarë vendin është shndërruar sot në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve shqiptarë të zonave më të thella të vendit. Jeta, zhvillimi gelon në të katër anët e këtij vendi, e paraqisni apo jo ju me kamerat tuaja. E injoroni apo e paraqitni para qytetarëve. Unë ju ftoj ju të shkoni, të intervistoni, të paraqisni veprat e mrekullueshme të njerëzve punëtorë, të investitorëve të mençur. Veprat pavarësisht se ndërtohen të tëra nga sektori privat, janë vepra me shkallën më të lartë të interesit publik.”- u shpreh kryeministri.
Më tej, shefi i qeverisë nënvizoi rëndësinë e projekteve të tjera, për zhvillimin turistik në komunën e Ishmit, apo investimet për furnizimin me ujë të Orikumit në Vlorë.
“Mbledhja nuk ka sot vetëm energjinë, por miratohen disa vendime me një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e turizmit në brigjet e komunës së Ishmit, e cila ka territore turistike që kanë tërhequr vëmendje, ose kanë pritur edhe perandorë. Ne shekullin 19, Maksimilaani i parë, që u bë më pas perandori i Meksikës kaloi ditë të tëra në Kepin e Rodonit, bashkë me suitën e tij. Natyrisht me së shumti për gjah, por ai ishte turizmi i kohës. Tani komuna e Ishmit po zhvillon format bashkëkohore të turizmit dhe ka një veçanti sepse në një distancë të shkurtër ajo gërsheton dy klima, atë të bregdetit me klimën malore. Pra shqyrtohen disa projekte në të cilat do punësohen me mijëra qytetarë. Sot shqyrtojmë problemet që kanë të bëjnë me nevojat jetike të zonës së Orikumit. Bëhet një investim shumë i rëndësishëm prej rreth 16 milionë dollarë për furnizimin me ujë.”- deklaroi Berisha.
Më tej kryeministri, teksa përmendi potencialet turistike të Gadishullit të Karaburunit, garantoi qytetarët për përfundimin e projektit për ndërtimin e rrugës Orikum-Kepi i Gjuzës.
“Për shkak të mungesës së infrastrukturës është një zonë e panjohur për shqiptarët përveçse pak ushtarak që kanë kryer shërbimin në ato zona dhe barinjtë që kullosin delet e tyre në gadishullin e Karaburunit. Karaburuni, gjer në Kepin e Gjuzës ka një terren të jashtëzakonshëm. Dua t’i informoj qytetarët se është në studim e sipër kompleksi Nartë-Sazan-Zvërnec, Nartë-Sazan-Karaburun, i cili sipas ekspertëve rezulton të jetë një kompleks unik në tërë gjeografinë e detrave të planetit. Një kompleks me potencial të jashtëzakonshëm dhe mundësi shumë të mëdha.”- deklaroi kryeministri.