TIRANË – Komisioni parlamentar i Ligjeve nisi shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës "Për propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive".
Dy ditë më parë, Kreu i shtetit i propozoi Kuvendit kandidaturat e Zana Xhukës dhe të Shkëlqim Ganajt për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së.
Ky vend ishte vakant pas largimit nga kjo detyrë të Adriatik Llallës, i emëruar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, në fund të muajit dhjetor.
Pas shqyrtimit në komisionin e Ligjeve, dekreti i Presidentit do të kalojë për miratim në seancën e së hënës (21 janar), që është e para për këtë sesion parlamentar.