TIRANE – Në kuadër të projektit për gazsjellësin “Trans Adriatic Pipeline”, Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë gjermane të energjisë “E-ON Ruhrgas” (aksioner në projektin TAP), për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Haxhinasto deklaroi se bashkëpunimi me kompaninë gjermane është me rëndësi për garantimin e sasive të nevojshme të gazit. Kreu i METE-s theksoi se projekti i gazsjellësit TAP është i një rëndësie strategjike për vendin tonë, rajonin, por edhe për Europën.
“Sot konkludojmë një marrëveshje tjetër shumë të rëndësishme për garantimin e sasive të gazit me një nga kompanitë më të mëdha në Europë. Projekti TAP mbi të gjitha krijon mundësi reale për zhvillimin e tregu të gazit në Shqipëri dhe sjell një zhvillim më të shpejtë për të gjithë vendin. Prandaj shpreh edhe njëherë vlerësimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Kemi folur me drejtuesit e kompanisë e “E-ON Ruhrgas” edhe për mundësitë e investimeve të tjera në Shqipëri.”- deklaroi Haxhinasto.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane “E-ON Ruhrgas” e vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar si mjaft të rëndësishme për të dyja palët.
“Kjo kontrate është shumë e rëndësishme, sepse ka lidhje me projektin TAP. Jemi shumë mirënjohës dhe shumë të kënaqur sepse po marrim pjesë në politikat e zhvillimit të Shqipërisë. Marrëveshja që firmosëm do të jetë përfituese për të dyja palët.”- u shpreh përfaqësuesi i “E-ON Ruhrgas”.
Tre ditë më parë, në kuadër të projektit TAP (Trans Adriatic Pipeline), ministri Haxhinasto nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për furnizimin me gaz me kompaninë zvicerane 'Axpo Trading Ag'.
Ndërkaq, sot rreth orës 12:30 pritet që Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Edmond Haxhinasto të firmosë Marrëveshjen e Përkohshme midis Këshillit të Ministrave dhe kompanisë Trans Adriatic TAP AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans- Adriatic Pipeline.
Kompania Trans Adriatic TAP AG do të përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj kompanie, Kjetil Tungland. Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në ambientet e METE-s.
Projekti për gazsjellësin TAP vlerësohet si një ndër më të rëndësishmit për vendin tonë dhe gjithë rajonin.





