TIRANE – Konferenca e Kryetarëve ka përfshirë dje në axhendën e punimeve të Kuvendit kërkesën e dorëzuar pak ditë më parë nga KQZ për rishpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërkohë që rezoluta çame e dorëzuar në muajin dhjetor nga kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, nuk është përfshirë në kalendarin e punimeve, miratuar dje me konsensus nga PD dhe PS.
Gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve, e para për këtë sesion parlamentar, mësohet të këtë kaluar pa debate futja në axhendë e kërkesës së KQZ-së për rishpërndarjen e mandateve.
Opozita në mbledhjen e djeshme është përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, kryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj dhe deputeti Ethem Ruka. Drejtori Juridik i Kuvendit, Lulzim Lelçaj, ka lexuar dje gjatë mbledhjes nenin 76 të Kodit Zgjedhor, që vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rishpërndarjen e mandateve ia kalon menjëherë Kuvendit për votim.
“Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. Në çdo rast, numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit”, thuhet në nenin 76 të Kodit Zgjedhor.
Burime pranë Konferencës së Kryetarëve bëjnë me dije se nga ana e përfaqësuesve të opozitës nuk është ngritur asnjë pretendim apo debat lidhur me përfshirjen në kalendarin e punimeve të ndarjes së mandateve. Ndërkohë që mbledhja e parë e Parlamentit u vendos dje me unanimitet që të zhvillohet ditën e hënë, më datë 21 janar, në orën 17:00. Burime pranë Kuvendit bëjnë me dije se nisma e ndarjes së mandateve do të diskutohet në seancën e ditës së hënë dhe palët do të paraqesin pretendimet e tyre.