TIRANE – Në prag të përvjetorit të 2 të ngjarjeve të 21 Janarit ku mbetën të vrarë 4 persona gjatë protestës së opozitës përballë godinës së qeverisë kanë reaguar sot Ambasada Amerikane në Shqipëri dhe Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Eugen Wollfarth.

Ambasada Amerikane në Tiranë kërkoi sot shpjegim të plotë të ngjarjes dhe një proces gjyqësor të besueshëm dhe të lirë prej ndërhyrjeve politike. 

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Ambasada Amerikane gjen rastin të shprehë sërish ngushëllime për familjarët e atyre që u vranë dhe u lënduan 2 vjet më parë. 

Përmes kësaj deklarate të rëndësishme, Ambasada Amerikane u bën thirrje udhehëqesve politikë dhe institucioneve të qeverisë “të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit”. 

DEKLARATA E PLOTE
 

"Në përvjetorin e dytë të ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, Ambasada e Shteteve të Bashkuara iu shpreh përsëri ngushëllimet e saj familjarëve të atyre që u vranë dhe lënduan. Të gjithë ishin viktima të dhunës së pakuptimtë e të pafalshme. Tani më shumë se kurrë, ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike. Në këtë ditë përkujtimi paqësor, iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të qeverisë që të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit."

Katër qytetarët humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë demonstratës së organizuar nga opozita e bashkuar më 21 janar 2011, e cila degjeneroi në dhunë e vrasje. 
Agim Llupo, është i vetmi efektiv i Gardës që ndodhet prapa hekurave për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Ai akuzohet për vrasjen e demonstruesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Ndërsa, mbi supet e ish-shefit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit fierak Faik Myrtaj. Sipas prokurorisë, Prendi, për të fshehur krimin ndërroi tytën e pistoletës me atë të shoferit të tij, Margarit Kume. Ky i fundit, akuzohet për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. E vetmja vrasje e pazbardhur është ajo e Aleks Nikës, që me shumë gjasa do të mbetet një ngjarje pa autor, pasi plumbi që goditi për vdekje të riun, është tërësisht i dëmtuar.

Wollfarth: Drejtësi në përvjetorin e 2 të protestave të dhunshme 
 

VJENË–Dy vjet pas 4 vrasjeve gjatë protestës së opozitës përballë godinës së qeverisë ka reaguar dhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth. Ai bëri thirrje për drejtësi në lidhje me vdekjen e protestuesve, në protestën e para dy vjetëve, në Tiranë. 

"Në prag të përvjetorit të dytë të ngjarjeve të 21 Janarit 2011, u shpreh sërish ngushëllimet tona më të ndjera familjarëve të viktimave dhe të lënduarve. Ata meritojnë drejtësi, bazuar në një hetim të lirë, të pandikuar nga politika dhe një proces gjyqësor të besueshëm e të shpejtë", tha ai. 

"Llogaridhënia dhe shteti i së drejtës janë elemente thelbësore të demokracisë dhe, si të tilla, janë parakushte për përparimin e mëtejshëm të aspiratave evropiane të Shqipërisë", shtoi Ëollfarth. 

Wollfarth foli nga Vjena, ku po merr pjesë në mbledhjen vjetore të kryetarëve të misioneve.