Sekretariati i Emigracionit pranë Partisë Socialiste e konsideron si të papranueshme situatën e krijuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku familjet me fëmijë të lindur në Greqi por me pasaporta shqiptare nuk lejohen të hyjnë në territorin grek pasi në pasaportat e tyre shqiptare toponimet e vendlindjes janë të shënuara në shqip dhe jo në greqisht, siç kërkon pala greke.
Në një deklaratë për mediat Sekretariati i Emigracionit pranë PS deklaron se pretendimet e Greqisë për shkrimin në greqisht të toponimeve janë konceptualisht të papranueshme por edhe faktikisht të pazbatueshme.
“Si një vend sovran, me kombësi e gjuhë të vetën, Shqipërisë nuk mund t’i kërkohet që të shkruajë në pasaportat e shtetasëve të saj në një tjetër gjuhë përveç se shqip. Akoma dhe më qesharake bëhet kërkesa në fjalë për sa kohë që dhe alfabetet e përdorur prej të dy vendeve janë tërësisht të ndryshëm. Kjo kërkesë nga ana e shtetit grek përbën një gafë diplomatike dhe një fyerje të hapur për dinjitetin e shtetit shqiptar, ashtu si dhe për mijëra emigrantë të ndershëm e punëtorë të cilët i kanë dhënë kaq shumë Greqisë në dy dekadat e fundit” thuhet në deklaratë.
Partia Socialiste kërkon ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve shqiptare, veçanërisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për zgjidhjen e kësaj situate e cila po krijon probleme të mëdha për emigrantët shqiptarë në pikat kufitare me Greqinë, duke rikujtuar se situata është përsëritur disa herë prej vitit të kaluar dhe asnjë marrëveshje nuk është arritur për t’i dhënë asaj zgjidhje.
“Në vend të retorikës boshe të nacionalizmit e patriotizmit, qeveria shqiptare duhet t’i kthehet punës dhe të tregojë me vepra përkushtimit ndaj çështjes kombëtare, pjesë e së cilës janë padyshim edhe emigrantët shqiptarë kudo që ata ndodhen”përfundon deklarata e Sekretariatit të Emigracionit pranë Partisë Socialiste