TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme Z. Edmond Panariti përsëriti sot në një takim me ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas kërkesën për shfuqizimin e “Ligjit të Luftës”, një ligj absurd i vjetër i Greqisë, veprim i cili do t`i çonte në një stad të ri në marrëdhëniet e dy vendeve.
Ministri Panariti kërkoi nga pala greke shtyrjen e moratoriumit që lejon qytetarët shqiptarë të udhëtojnë me dokumentat aktuale që kanë në përdorim, duke qenë se palët kanë avancuar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për këtë çështje.
Dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se duhet punuar së bashku për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët lidhur me çështjen e delimitimit detar, mbështetur në legjislacionin ndërkombëtar dhe të drejtën e brendshme të të dy vendeve.
Ministria e Punëve të Jashtme gjithashtu po ndjek me shqetësim moslejimin e kalimit të shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, për shkak të mënyrës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat e tyre.
Gjatë ditës së sotme edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Athinë i ka përcjellë Ministrisë së Jashtme greke shqetësimin e palës shqiptare për këtë veprim, duke kërkuar që autoritet greke të mos pengojnë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në Greqi, derisa të arrihet një marrëveshje e përbashkët midis dy shteteve për këtë çështje.
Ambasadori Rokanas shprehu vullnetin e tij për të punuar me vendosmëri për dinamizmin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai siguroi se Greqia mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë greke për të asistuar në terma konkretë Shqipërinë drejt rrugës së saj në BE.
Gjatë takimit, u diskutua mbi hapat që të dy palët do të ndërmarrin për dinamizmin marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë kuadër, të dy qeveritë po punojnë për të zhvilluar së shpejti një takim në formatin ndërqeveritar G-G.