TIRANË – Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu lëshoi sot kritika të ashpra ndaj qeverisë Berisha duke cilësuar atë si “qeveri të maskave”.
“Ne ndoshta këtë mbledhje këtë mbledhje duhet ta përfundojmë shpejt pasi në ora 20:00 Tirana (Ali Demi) do jetë në terr. Njerëzit duhet të vrapojnë në shtëpinë e tyre se është koha e regjimit të Berishës. Kurrë më parë kryeqyteti shqiptar nuk kishte njohur ditë kaq të zeza as në kohën e Duçes. Në një kohë ku çdo kush duhet të ketë dyer të blinduara. Të ecin në rrugë pa portofol varëse apo bizhu, pasi ditën grabiten në rrugë. Pasi kanë shënuar rekord historik sot pas 100 vjetësh rendin e vendos flamuri i krimit me banda që kanë pushtuar gjithë territorin e Shqipërisë. Pasi kjo është qeveri e maskave. Ai posti i Ministrit të Brendshëm është përdorur për të shpërblyer mbrojtjen e mafias shtetërorë. Sepse Ministri i Brendshëm i 21 janarit është kreu i Bashkisë, sot Ministri i Brendshëm i Gërdecit president”,- theksoi Spahiu.
Spahiu sulmoi kryeministrin Berisha duke thënë se nuk mbajti një analizë vjetore për kriminalitetin në vend, pasi sipas tij qeveria është kthyer në një ‘lavatrice parash’, ku kryqëzohen mafiozë nga e gjithë bota, teksa duke iu referuar raporteve ndërkombëtare e cilësoi atë si më të korruptuarën në glob.