Sekretari britanik i Shëndetësisë Matt Hancock ka thënë se vaksina kundër koronavirusit e kompanisë AstraZeneca është e sigurt pas vendimit të disa shteteve evropiane për të pezulluar përdorimin e saj, teksa rriten shqetësimet për trashje gjaku.

Ai u ka bërë thirrje njerëzve “që të dëgjojnë rregullatorët” dhe të “marrin vaksinën” sa më shpejt që kanë mundësi. Agjencia britanike për ilaçe dhe shëndet publik ka thënë se të dhënat “nuk sugjerojnë” se vaksina ndikon në trashje gjaku.

Rreth 17 milionë persona në gjithë Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë pranuar një dozë të vaksinës, dhe deri javën e kaluar janë raportuar më pak se 40 raste me trashje gjaku, ka thënë AstraZeneca.

Në deklaratën e kësaj kompanie është thënë se numri i rasteve me ndërlikime ka qenë më i vogël sesa qindra raste që do të mund të raportoheshin në mesin e popullsisë së përgjithshme.

Hancock ka thënë se rregullatori britanik, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Ilaçeve besojnë se vaksina është e sigurt.

“Ne rishikojmë efektin e këtyre vaksinave vazhdimisht dhe ne e dimë se vaksina e AstraZenecas është duke ruajtur jetë njerëzish tani në Mbretërinë e Bashkuar, andaj nëse merrni thirrjen, shkoni me merrni vaksinën”, ka thënë ai.

Danimarka ka qenë vendi i parë që ka pezulluar përdorimin e kësaj vaksine, e përcjellë nga Norvegjia dhe Islanda. Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Qiproja, Letonia dhe Suedia, janë të fundit që kanë ndjekur këtë shembull.