TIRANE – Vrojtimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi biznesin dhe familjet tregon se besimi konsumator u keqësua në tremujorin e katërt të vitit 2012. Pas një rritjeje të lehtë në tremujorin e tretë (+1.3 pikë përqindjeje), treguesi i besimit të konsumatoreve ra me 3.2 pikë përqindje. Sipas rezultateve të sondazhit të BSH, të publikuar një ditë më parë, niveli i treguesit aktualisht qëndron 4.1 pikë përqindje poshtë mesatares afatgjatë.
“Në rënien e besimit të konsumatorit ndikuan përkeqësimi i treguesve për situatën e pritur financiare, për situatën e pritur ekonomike dhe për situatën e të ardhurave”,- thuhet në raport.
Në tremujorin e katërt të vitit 2012, treguesi i besimit të sektorit të ndërtimit (TBN) ra me afërsisht 5.6 pikë përqindje. Niveli aktual i tij qëndron rreth 34 pikë përqindje poshtë mesatares afatgjatë dhe përbën minimumin historik të treguesit të besimit. Përkeqësimi i treguesit të besimit, sipas Bankës së Shqipërisë, u përcaktua nga rënia e dy prej balancave përbërëse të tij; vlerësimi për kërkesën (-8.7 pikë përqindje) dhe për prodhimin (-8.5 pikë përqindje).
Çmimet e prodhimit në sektorin e ndërtimit janë vlerësuar në rënie në tremujorin e katërt të vitit 2012. Rënia e kërkesës ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të bizneseve në sektorin e ndërtimit.