TIRANE-  Në ceremoninë e organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të FRESSH-it, kryetari i PS-së Edi Rama u shpreh i bindur se Forumi Rinor do të luajë një rol vendimtar në atë që socialistët e cilësojnë si Rilindje të Shqipërisë. Sipas Ramës, përmes fitores së socialistëve në zgjedhjet e qershorit do të rilindë edhe Shqipëria. 

“Faleminderit të gjithë atyre që një vit më parë ishin këtu dhe faleminderit të gjithë atyre që erdhën gjatë këtij viti. Ju të gjithë bashkë, vajza dhe djem, që ishit dhe u bashkuat në këtë rrugëtim, gjatë një viti të REFRESSH-it e rilindem FRESSH. Faleminderit dhe gjithë më të rriturve që i dhanë një dorë bujare kësaj rilindjeje. Jam i bindur që kjo organizatë, sot 21-vjeçare do të luajë një rol vendimtar. Le ta shijojmë sot edhe faktin që ndërsa FRESSH bëhet 21 vjeç, një numër i madh 21-vjeçarësh i janë afruar FRESSH-it. Ju provuat se gjërat mund të bëhen ndryshe. Fale jush unë sot jam i bindur se ne jo vetëm do të fitojmë zgjedhjet e qershorit, por me fitoren ne do të rilindim Shqipërinë.”- u shpreh Rama. 

Rama theksoi se Rilindja që do të sjellë PS do të sjellë drejtësi për shqiptarët. 

Fokusuar tek taksat, Rama vuri në dukje se taksat do të përgjysmohen për popullin dhe do të rriten për qeveritarët. 
“Qeveritarët e nesërm do paguajnë më shumë taksa se sot. Infermierët, mjekët, mësuesit do të paguajnë taksa më pak se sot. Kryeministri do jetë taksapaguesi më i madh në sektorin publik. Normalisht duhet të ishte presidenti, por besoj se do kemi miratimin e shumicës për çdo deklaratë që do bëjë për Vitin e Ri me qëllim ngritjen e humorit të popullit shqiptar”. 

RAMA: NUK DO QEVERISIM ME SHEMBULLIN E FORCËS, POR ME FORCËN E SHEMBULLIT 

Kryesocialisti Rama u bëri të ditur të rinjve fressh-istë se Rilindja që do të sjellë PS do të tregojë shembullin e qeverisjes së mirë. 
“Siguria sot në Shqipëri mungon se mungon liria e zgjedhjeve, ne do ta rilindim këtë vend që të zgjedhurit me meritë të vendosin në themel konkurencën dhe meritën. Rilindja që duam do sjellë liri dhe siguri për vendin. Ne nuk mund të kemi një Shqipëri të drejtë nëse nuk kemi një qeverisje të drejtë. Një vend qeveriset përmes shembullit dhe kur qeveria e jep më së keqi këtë çmund të presim nga të tjerët. Kur kultura e pandëshkueshëmrisë mungon çfarë mund të presim. Ata qeverisin me shembullin e forcës ne do qeverisim me forcën e shembullit”. 

TAHIRI: NGRIHUNI DHE MERRNI NË DORË FATIN E SË ARDHMES SUAJ 

Në aktivitetin që startoi në orën 16:00 në Pallatin e Kongreseve, me pjesmarrjen e qindra të rinjve të FRESSH-it, ish drejues të forumit, përshëndeti edhe deputeti dhe kreu ri i PS-së së Tiranës Saimir Tahiri. Ai inkurajoi të rinjtë se së bashku me PS do të shkruajnë historinë e lumtur që rinia shqiptare meriton, e kjo histori do nisë të shkruhet pikërisht me 23 qershor, atëherë kur ata do të marrin në dorë fatin e tyre dhe do të drejtohen drejt kutive të votimit. 

“Kemi sfida të panumërta përpara, nuk janë të lehta por kurrsesi të pakalueshme. Provoni për një çast të viheni në rolin e prindërve tuaj, mendoni për pak çaste për shkollën që bëni sot dhe mundësinë për punësim nesër, mendoni për ata të rinj që duhet të burrërohen parakohe. Mos u dëshpëroni dhe mos u dorëzoni, këto të dyja janë armiqtë më të këqinj. Asnjëherë nuk është vonë për të patur një rini të lumtur, historinë e bukur tuaj ne do ta shkruajmë bashkarisht me 23 qershor. 

Për ta kthyer 2013 në vitin e ndryshimit, kanë mbetur pak ditë deri më 23 qershor, nëse e ardhmja do jetë vazhdim i shkatërrimit apo rilindje e vendit. Ngrihuni në këmbë, merrni në dorë fatin e të ardhmes tuaj Fitore, fitore!”tha ai.