TIRANE– Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është karakterizuar nga debate mes kryetares dhe nën/kryetarit të këtij institucioni. Ka qenë mosdakordësia mes palëve mbi rendin e ditës të KQZ-së, e cila ka çuar deri në ndërprerjen përkohësisht të mbledhjes.
Megjithëse ishtë parashikur në rendin e ditës që në mbledhjen e sotme të miratohej shpërndarja e fondeve për partitë parlamentare, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ kanë këmbëngulur të fillohet me kërkesën e tyre të cilësuar si informacion mbi numrin e banorëve në Qarkun e Kukësit, për të cilën kryetarja Lleshi tha se do të kthehet përgjigje me shkrim.
Ndarja e mandateve ka qënë një pikë tjetër e nxehtë në debatin mes palësh, ku nënkryetari Denar Biba e cilësoi si antikushtetuese kërkesën e KQZ-së drejtuar Kuvendit për ndarjen si në vitin 2009 të mandateve. Nënkryetari Biba, ashtu sikurse përfaqësuesja tjetër e PS-së në KQZ, Albana Shtylla, thanë se duhet të sigurojnë barazinë mes votës së qytetarëve, pavarësisht zonës ku banojnë.
KQZ MIRATON SHPËRNDARJEN E FONDEVE VJETORE PARTIVE PARLAMENTARE
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme miratoi me konsensus "aktin për kërkesat ankimore" si dhe "Zyrat rajonale zgjedhore".
KQZ diskutoi në vazhdim mbi zërin e shpenzimeve në buxhetin e 2013, ku përfshihej edhe përcaktimi i mbështetjes financiare për partitë politike parlamentare, ku natyrshëm përfitueset kryesore janë dy partitë e mëdha, PD dhe PS.
200 milionë lekë është buxheti vjetor i vënë në dispozicion të mbështetjes së këtyre forcave politike, shpërndarja e të cilit i referohet rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.
70% e fondit ndahet sipas numrit të mandateve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20% ndahet në mënyrë të barabartë mes të gjitha partive parlamentare, ndërsa 10% shkon për partitë që kanë arritur të kalojnë pragun elektoral prej 1% në zgjedhjet e fundit parlamentare.
LESHI: I KEMI KTHYER PËRGJIGJE FRD
Kërkesës së FRD-së për fond vjetor, administrata e KQZ i është përgjigjur me pretendimin se nga fondi përfitojnë partitë që morën pjesë në zgjedhjet në 2009. Ndërkohë, kryetarja Lefterie Lleshi duke iu përgjigjur kërkesës ironizoi Bibën teksa shtoi se KQZ i ka ktheyr përgjigjie me shkrim FRD-së, por sipas saj partia në fjalë ka probleme me interpretimin e ligjit.
“Si duket FRD është ankuar tek Biba. Nuk ka asgjë të keqe” ironizoi Biba teksa shtoi, “KQZ është shprehur me një përgjigje pas deklaratës së partisë në fjalë”, tha Lleshi.
FONDI PËR ZGJEDHJET, PS SHPREH SHQETËSIMIN E FRD
Nënkryetari i PS-së Denar Biba, ka shprehur shqetësimin e Frymës së Re Demokratike për mungesë fondesh.
“FRD ka shprehur shqetësimin se nuk do të përfshihet në listën e partive që do të përfitojë nga fondet vjetore. Ajo është një parti që e ka 1 deputet në parlament. Por, në fund të fundit Kushtetuta e lejon që deputetët nuk janë të lidhur me mandatin e tyre”, tha Biba.
PS: NDARJA E MANDATEVE KOPETENCË E KQZ, JO E KUVENDIT
Pas situatës së tensionuar në mbledhjen e Komisionit Qëndror zgjedhor, përfaqësuesi i PS-së në këtë komisioni, njëherësh nënkryetari Denar Biba në një prononcim për mediat sqaroi debatin dhe ‘ngërcin’ që po mban peng ndarjen e mandateve, teksa nënvizoi se kjo është kopetencë e KQZ dhe jo e Kuvendit
“Ajo tavolinë e zbrazur, jepeni të shikoni në cfarë pozitash ka rënë KQZ. Ne kërkojmë mbledhje të KQZ dhe prezantimit të cështjeve që na shqetësojnë dhe na refuzohet pa asnjë bazë ligjore. Ju ishit këtu që të na jepnin bazën ligjore për kërkesat tonë për informacion që Sekretarja e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të premten pasdite. Pas asnjë kompetencë sekretarja i drejtohet Kuvendit. Zotërinjtë e KQZ nuk morën vendim për ndarjen e mandateve dhe i ndani ju si në 2009. Së pari, të paktën në 2009 Arben Ristani pati guximin edhe e dërgoi vetë dhe mori përgjegjësinë e tij mirë apo keq. Së dyti, ajo që më shqetëson, është shtimi i popullsisë në disa qytete.
Të gjithë po shkojnë drejt Kukësit. Kjo situatë e bën të pamundur ndarjen e mandateve me popullatën e Shqipërisë. Nëse do të aplikohej popullata e viti 2009 në 2013 do ishte një ndarje e pabarabartë”, tha Biba, gjatë një pushimi të shkurtër për shkak të tensionit të krijuar.
RENDI I DITES
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot shpërndarjen e fondit financiar për partitë politike parlamentare për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Sipas ligjit "Për buxhetin e vitit 2013", është parashikuar një fond prej 200 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike.
70 % e fondit do të ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20 % ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 % shkon për partitë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë kaluar pragun e 1 % të votave në shkallë vendi. Ndërkohë, po sot pritet diskutim i modelit për kërkesës ankimore për vendimet e KZAZ-ve.