TIRANË-Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së kryeministrit Berisha ka reaguar ndaj akuzave të deputetit socialist, Balla se ai nuk ishte prezent sot në sallën e gjyqit. Duke e akuzuar deputetin socialist Taulant Balla si mashtrues, Jamarbër Malltezi theksoi se prania e tij në Gjykatë mund ntë verifikohet lehtësisht dhe nga vetë faqja e internetit të Gjykatës.
Ja deklarata e plotë
“Të nderuar gazetarë, në vijim të gënjeshtrës së rradhës të Taulant Ballës, ju lutemi
pasqyroni – sipas dëshirës, edhe reagimin tim ndaj këtij shpifësi me pagesë të shefit të vet.
Disa media pasqyruan sot reagimin e deputetit Balla i cili me paturpësi i tha publikut se pala paditëse nuk kish qenë sot në gjykatë e për pasojë ishte shtyrë seanca. Mashtruesi nuk heq dot dorë nga vesi i tij edhe kur faktet janë publike nëpërmjet faqes se internetit të Gjykatës së Tiranës nga e cila provohet lehtësisht se përfaqësuesi ligjor i paditësit, Jamarbër Malltezi sot ka qenë prezent dhe pjesëmarrës në seancën e procesit kundër Taulant Ballës për shpifje.
Seanca është zhvilluar normalisht në prezencë të të dy palëve ku z. Balla është njohur zyrtarisht me padinë për shpifje. Pjesëmarrja e përfaqësuesit ligjor në proces mund të verifikohet nga kushdo në proces-verbalin e seancës i cili afishohet në faqen e internetit të gjykatës.
Deputeti Balla ka qenë prezent së bashku me avokatin e tij dhe është përballur me avokatin e Z. Malltezi dhe për rrjedhojë është fare i ndërgjegjshëm për gënjeshtrën që artikulon para shqiptarëve. Por, as kjo gënjeshtër dhe as të tjerat që thotë, nuk i bëjnë përshtypje sepse gënjeshtra është në natyrën e tij dhe të shefit të tij. I bëjmë thirrje zotit Balla të vijojë të vijë në cdo seancë të këtij procesi dhe të mos fshihet pas gënjeshtrave të tij.", shprehet Malltezi në një njoftim për shtyp.