TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Ministri Britanik i Burgjeve, Jeremy Wright, nënshkruan sot një marrëveshje për qytetarët shqiptarë të burgosur në Britaninë e Madhe për të përfunduar dënimin e tyre me burgim në Shqipëri.
Siç bëri të ditur sot ambasada britanike në Tiranë, marrëveshja e transferimit te detyrueshëm të të burgosurve do të lejojë që qeveria Britanike të transferojë shtetasit legjitime shqiptarë, nga burgjet e Mbretërisë se Bashkuar për në vendin e tyre, për të kryer pjesën tjetër të dënimit.
Gjithashtu, të burgosurit britanikë në Shqipëri do të transferohen në burgjet e Mbretërisë se Bashkuar. Në të dy rastet i burgosuri do të kryeje dënimin e vendosur nga gjykata. Por transferimi në një burg në vendin e tyre do të rrise mirëqenien e të burgosurve dhe riintegrimin eventual në shoqëri, si për shembull duke lejuar një kontakt më të madh me familjen e tyre.
Kjo është marrëveshja e parë dypalëshe e Mbretërisë së Bashkuar per transferimin e te burgosurve, e cila ofron nje transferim te detyrueshëm jashtë Bashkimit Europian, si dhe një zhvillim shumë pozitiv në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Transferimet e para pritet të ndodhin brenda këtij viti.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ndodhet që prej datës 13 janar për një vizitë pune në Londër, ku po zhvillon takime të nivelit të lartë. Ai është takuar me drejtues të lartë të Bordit të Shërbimit të Provës, Drejtorin Ekzekutiv të burgjeve, etj.