ITALI – Janë depozituar pranë Ministrisë së Brendshme simbolet e partive italiane që do të paraqiten në zgjedhjet e ardhshme politike, të parashikuara për t’u mbajtur më 24 dhe 25 shkurt.
Mes partive pjesëmarrëse në garën elektorale është edhe “Alba Dorata”, partia e frymëzuar nga Agimi i Artë, lëvizja ekstremiste greke. Ajo do të paraqitet në rrethet e Lazios dhe Piemontes në të dyja dhomat e Parlamentit.
Sekretar i kësaj partie është Alessandro Gardossi, 44 vjeç e që më parë ka qenë aktivist i lëvizjes fashiste 'Forza Nuova' dhe më pas i Lidhjes së Veriut. Aktualisht kjo forcë politike paraqet formacionin më ekstremist të së djathtës italiane.
Lideri i kësaj levizjeje shprehet se pranon mbështetje nga të gjitha krahët politikë, mjafton që të mbështesin programin e tyre; kthimin tek lireta, luftën kundër mbizotërimit të bankave, luftën kundër privilegjeve të politikanëve dhe një sërë idesh që mbështeten në shtetin social të Musolinit.
Për sa i përket emigracionit ata shprehen se “jemi tepër të rrënuar për të ndihmuar të tjerët”. Në faqen e tyre të internetit mbizotëron fotografia e anijes Vlora, simboli i eksodit shqiptar të fillimit të viteve nëntëdhjetë.