ATHINË – Grekët janë shprehur të shqetësuar për faktin që një nga hidrocentralet e Shqipërisë i është shitur shtetit turk. Sipas shtypit ditor grek shitja e njërit prej HEC-ve Turqisë lidhet drejtpërdrejt me Greqinë, pasi stacioni hidroelektrik Bistrica furnizon me energji një pjesë të madhe të Greqisë. Ky vendim shkruan shtypi grek do të bëjë që Turqia të ketë më shumë prezencë në shtetin helen dhe më shumë ndikim mbi vendet e Ballkanit.
Sipas shtypit, ka rrezik që në këtë kohë krize, Turqia të mbyllë energjinë dhe rajone të tëra të Greqisë të zhyten në errësirë. “Me këtë lëvizje, turqit tani bëjnë të ndihet prania e tyre dhe në veriperëndim të vendit, duke blerë një nga pikat e ekonomisë shqiptare, me rëndësi gjeopolitike dhe gjeostrategjike për Epirin e Veriut dhe Greqinë”,- thuhet në shkrimin e shtypit grek.
“Nëse këto kombinohen edhe me disa shitje të tjera tek kompanitë turke, është e qartë se Greqia është nën një sulm të paparë ekonomik nga Turqia, e cila shfrytëzon në maksimum krizën ekonomike greke”,- shkruhet në të.
Shtypi grek thekson se strategjia turke është të kontrollojë popullsinë e Ballkanit, sidomos ata që kanë fronte të hapura me Greqinë, duke sjellë në vëmendje Kosovën. Në Kosovë ka dalë nga një organizatë e re turke e quajtur Bashkimi i Kulturës dhe Solidaritetit, që synon të promovojë miqësinë "shqiptaro-turke". Organizata që do të financohet nga shërbimi sekret do të themelojë konsullatën turke në Prishtinë. "Pas veprimtarive humane dhe sociale, shpesh fshihen objektivat më të fshehura dhe më të errëta", shkruan shtypi.
Këshilli i Ministrave ka miratuar me 9 janar, në mbledhjen e qeverisë privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulzë-Shkopeti.
Fitues është shpallur kompania “Kurum International”, e cila ofroi më shumë për privatizimin e katër hidrocentraleve të ndara në dy paketa, Bistrica 1 dhe 2 më vete dhe Ulzë-Shkopetit. “Kurum International”, i blen këto HEC-e për shumën 109.5 milionë euro.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se u vendos; “1. Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.”
Marrë nga Shekulli Online