TIRANE– Forumi Rinor Eurosocialist, FRESSH feston sot 21 vjetorin e themelimit. Ceremonia do të zhvillohet në orën 16.00 në Pallatin e Kongreseve.
Në aktivitetin e organizuar pritet të marrin pjesë drejtues të forumit rinor dhe të PS-së. përveç përvjetorit, ky takim pritet të shënojë çeljen e fushatës elektorale për rininë socialiste.
FRESSH është themeluar më 15 janar 1992. Ai është drejtuar ndër vite nga disa nga emrat më të spikatur të PS-së.
Në krye të tij kanë qenë dy ish kryeministrat Pandeli Majko dhe Ilir Meta, ndërkohë që anëtarë të tij kanë qenë politikanë si Ndre Legisi, Monika Kryemadhi, Ilir Zela etj. Një vit më parë në krye të FRESSH u zgjodh Elisa Spiropali.
Një ditë më parë, një nga figurat e njohura të këtij forumi në vite, Monika Kryemadhi, rrëfeu gjatë një interviste se nuk kanë qenë të pakta herët kur forumi rinor i PS-së nuk ka gjetur mbështetjen e duhur nga partia mëmë, madje nuk kanë munguar edhe rastet kur shpresat e të rinjve ishin zhgënjyer nga lidershipi i partisë.