TIRANE – Ish-deputeti i PS-së, Kastriot Islami deklaroi një ditë më parë, në një intervistë për emisionin “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka, se, po ta dinte se në PS gjërat do të shkonin ashtu siç kanë shkuar, do të kishte marrë një vendim ndryshe për të vazhduar në politikë.

Nga ana tjetër, deputeti i përjashtuar nga rradhët e grupit parlamentar të selisë rozë, në një analizë që i bën tre grupimeve në PS deklaron se ish-komunistët, pjesë përbërëse e kësaj force që në momentet e para të krijimit të saj, tashmë kanë pushtet shumë më tepër se 21 vjet më parë. Sipas tij, Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi apo Namik Dokle përbëjnë një grupim të rëndësishëm brenda rradhëve të socialistëve.   

Ju deklaruat se: “Po ta dija që do të ndodhte kjo që ka ndodhur në PS, vendimi do ishte ndryshe”. Çfarë ka ndodhur në PS që ju bën të mendoni se në ‘91-shin vendimi juaj do ishte ndryshe? E para, çfarë keni parasysh me vendim ndryshe? 

Duhet të keni parasysh se vendimmarrja ka qenë jo shumë racionale, sepse mua nuk më shkonte mendja të merresha me politikë, por në kushte të caktuara u bëra pjesë e lëvizjeve, por në një pozicion tjetër. Po të kisha parasysh se ç’po ndodhte me PS-në; kisha parasysh tre grupimet e para që kishin në plan transformimin e PS-së, dhe kjo parti nga ‘92-shi deri në ‘96-ën arriti të bëhet pjesë e Internacionales Socialiste dhe në ‘97-ën arriti të marrë qeverisjen e vendit dhe të kryejë reforma që nuk imagjinoheshin kurrë për këtë lloj partie para ‘91-it, siç ishte anëtarësimi në NATO, integrimi në BE, ekonomia e tregut e kështu me radhë, dhe t’i bëjë këto detyra me një vizion social demokrat, vizion perëndimor. Çfarë ndodh sot? Praktikisht të gjitha figurat e grupit të tretë – këtu kam parasysh ose të rinjtë ose intelektualët – nuk janë më në PS; Rexhep Mejdani nuk është në PS, Ilir Meta nuk është në PS, Fatos Nano nuk është në PS, Pandeli Majko është i margjinalizuar në PS, nga 2 herë kryeministër, pavarësisht se fizikisht vazhdon të jetë në PS. Grupimi i parë, i cili ishte grupimi i njerëzve të trashëguar nga regjimi, vazhdon të jetë i rëndësishëm në PS. 

Kë keni parasysh kur thoni “grupi i parë, që ishte grupi i njerëzve i trashëguar nga regjimi komunist”?

Janë njerëz të cilët kanë pasur pozicione relativisht të larta. 

Emrat…

Emrat nuk janë ndonjë sekret, p.sh. Gramoz Ruçi ka qenë një figurë, anëtar i Komitetit të Partisë së Punës dhe vazhdon të jetë numri 2 i PS-së. Z.Dokle ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe kandidat në Komitetin Qendror në ‘91-shin edhe para, dhe vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme e PS-së. Servet Pëllumbi ka qenë nëndrejtor i Shkollës së Partisë, ka pasur një histori personale, por vinte në PS si figurë e kohëve të Partisë së Punës. Ky grupim vazhdon të jetë i rëndësishëm sot, bile të ketë pozita më të forta se sa kishin në ‘91-shin në PS. Nëse në PS në ‘91-shin ishin një nga pjesët që ishte mbas lokomotivës, që ishte grupi i tretë që morën përsipër transformimin e PS-së, ndoshta njerëzit kanë harruar Ilir Metën në krye të FRESSH-it. Ai ishte pjesë e motorit të rëndësishëm për ta afruar me Internacionalen Socialiste PS-në, e cila ishte një parti e cila trashëgonte të gjitha karakteristikat dhe arsenalin e Partisë së Punës dhe ishte pikërisht FRESSH-i i cili u vu në avancë të këtij transformimi, qoftë i imazhit, qoftë i përmbajtjes. Pati dhe një grup të tretë i PS-së që është sot, që s’ka qenë gjatë kësaj periudhe, dhe ky është forcuar në mënyrë të konsiderueshme pas vitin 2005 kur ka ardhur z.Rama. Ata që quhen biznesmenët e PS-së, kryesisht të formuar nëpërmjet biznesit të ndërtimit dhe në mënyrë të veçantë nëpërmjet aktivitetit të tyre në Tiranë kur kryetar bashkie ishte z.Rama. Pra, këto janë 3 grupimet që kemi sot në PS. 

Zoti Islami, a ju duket se zoti Nano, edhe ju sigurisht, edhe zoti Meta apo dhe kjo pjesë e tretë e grupimeve që ju bëtë, a ju duket se ju të gjithë bashkë e keni nënvlerësuar zotin Rama dhe ndaj PS-ja është në këtë situatë ku jemi?

Shiko, kjo analizë është retrospektivë, e para. E dyta, PS sepse analizohet sot deri në vitin ’97, se në ’97-ën erdhi në pushtet dhe ka vepruar në një mënyrë tjetër të vepruari dhe funksionuari, ishte një parti e hapur ndaj çdo individi sepse nuk vinte njeri në Partinë Socialiste. Në vitet ‘91, ‘92, ’93, ‘94, ‘95, ‘96 filloi të ndihej që mund të kishte një shans, por deri në ’95-ën nuk vinte njeri në PS. I lutej çdo lloj njeriu që të vinte në Partinë Socialiste, pa analizuar shumë qëllimet dhe karakterin e tij, kështu që dhe në këtë kohë janë ftuar dhe kanë ardhur njerëz në PS duke qenë e hapur për të ftuar njerëz mundësisht pa të kaluar dhe mundësisht që kishin në pamje të parë imazhin e një njeriu intelektual apo që kishin forcë. Kishte dhe një parametër tjetër që duhej vendosur në këtë front; këtu kemi parasysh dhe ‘96, ’97-ën, një front kundër pushtetit, i cili ishte shumë i fortë atë kohë, i Berishës, në pozicionin e presidentit të vendit. Pra në këtë kohë, kushdo që rreshtohej në një front për transformimin e PS-së me imazhin e tij, me figurën e tij, me kapacitetin e tij dhe në një front për të fituar ndaj përfaqësuesve të qeverisjes së asaj kohe, i cili me thënë të drejtën ka pasur defekte, siç ishte futja e liderit të opozitës në burg dhe kështu më radhë. Pra në këtë moment ishin të ftuar. Një nga këta që erdhi në këtë kohë ishte dhe zoti Rama, i cili erdhi pas ‘96-ës, ‘97-ës në qeverisjen e ftuar nga zoti Nano. Kështu që, nuk është nisur njeri me idenë siç mund të mendohet sot ose siç mund të mendojë zoti Rama. Po të mendoj me metrin e zotit Rama sot, zoti Rama nuk do ishte afruar në Partinë Socialiste, nuk do kishte marrë asnjë lloj posti, d.m.th., qoftë edhe me 1/10-ën e sjelljes që ka bërë zoti Rama ndaj zotit Nano. 

Ka pasur një nënvlerësim nga ana juaj, që s’e keni marrë seriozisht se mund të ishte lideri i ardhshëm i partisë që ju prezantoni, që transformuat në ’91-in; kjo është e qartë, zoti Islami. Të paktën deri nga viti 2003 asnjëri prej jush nuk mendonte se do të kishit shumë shpejt kryetar Edi Ramën dhe kryetar kaq të fortë, sepse kryetar kaq i fortë nuk ka qenë as zoti Nano, për të mos thënë as Ramiz Alia nga viti ‘85 e këtej.

Ramiz Alia s’ka qenë kryetar i fortë, kam përshtypjen. Sidomos në atë kohë, situata ka qenë më e brishtë. Unë nuk e quaj kryetar të fortë zotin Rama. Zoti Rama është një kryetar spekulativ. 

Megjithatë zoti Rama është një kryetar i gjithëpushtetshëm. Fakti edhe që ju jeni jashtë PS-së, i përjashtuar prej tij.

Kryetar të gjithëpushtetshëm unë nuk quaj atë që përjashton nga partia, atë e quaj kryetar të dobët. Kryetar të fortë quaj atë që i mban të gjitha kapacitetet afër dhe fiton kundër kundërshtarit. Pra lider është ai që bashkon sa më shumë vetë. Z.Berisha është bërë kryetar i fortë në vitin 2005 kur i bashkoi të gjithë dhe fitoi. 

Me çfarë analize ose mundësie e shikoni Edi Ramën fitues?

Në këtë pozicion që jam unë nuk mund të jap këshilla. Rama ka 3 minimalisht, – përveç programit, përveç organizimit, përveç motivimit etj., – 3 rrathë me të cilët duhet të motivojë ekipin. Rrethi i parë është që duhet të motivojë PS-në. Nëse Rama në PS do të vazhdojë të aplikojë skemën “motivim nëpërmjet pasigurisë”, të jesh i sigurtë që shumica do të jenë të demotivuar ose do mundohen të mos japin maksimumin e tyre. Dhe motivimi brenda PS-së ndodh vetëm nëse ftohen të gjitha figurat me eksperiencë, nëse ato do të vendosen brenda PS-së si në hierarki vlerash, kapacitetesh, dhe jo të vazhdojë skema e pasigurisë apo goditjes si rasti i 3 ligjeve, apo i Fierit me z.Malaj. Rrethi i 2 është me aleatët, ku unë nuk gjej ende një aleat që të jetë i qartë. Pra edhe aleatet janë totalisht të pasigurtë. Dhe rrethi i 3 është ajo që ka thënë vetë në 2005-ën, që tentoi të aplikonte në 2007-ën dhe që nuk e aplikoi në ’09-ën; është bashkimi i së majtës, por e majta nuk bashkohet as duke hedhur tezën. Jo ai vetë, por njerëz shumë pranë tij e bashkimit të qelbësirave. Si mundet Meta të bëhet pjesë e një koalicioni, kur thua që “do bashkohen të gjitha qelbësirat, mjafton që të rrëzohet regjimi i Berishës”? Pra nuk pranon asnjë aleat.