TIRANE- Kreu i PS-së Edi Rama pas takimit që zhvilloi sot me banorë të Laprakës, në kryeqytet, komentoi në faqen e tij personale në Twitter, se borxhet po rrënojnë jetën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, ndërkohë që ka vetëm një përgjigje për t’i dhënë fund rrënimit dhe ajo është “një votë për një Rilindje Shqiptare”
“Rilindje për të mos u mbytur nga litari i borxheve lidhur keq në fytin familjeve të vetëpunësuara me biznes të vogël. Ka vetëm një përgjigje të qartë për të ndalur rrënimin e mëtejshëm: Një votë për një Rilindje Shqiptare! Në Laprakë ku luftohet për mbijetesë! Biznesi i vogël po falimenton. Borxhet po nxijnë jetën e shumicës dërrmuese”,- shkruan Rama.
Rama duke iu rikthyer sistemit të taksave, deklaroi se biznesi i vogël po shkatërrohet nga taksat abuzive. “Rilindje për të zhbërë bandat e xhandarmërisë tatimore që po shkatërrojnë me gjoba abuzive çdo shitës e biznes”,- shtoi Rama.