TIRANË– Kryeministri Sali Berisha ka komentuar ditën e sotme në Facebook përgjigjen e bërë dje nga kryesocialisti Edi Rama mbi akuzat e PD për pallatin e Linda Bashës. Sipas Berishës, përgjigja e Ramës nuk pati transparencë dhe kjo u kuptua sipas tij dhe nga gazetarët që ishin të pranishëm në konferencë.
“Të dashur miq, zoti Rama thotë “prit publik sa të piqen fiqtë”.
Dje publiku priste nga zoti Rama transparencë për atë që mediat e kanë quajtur “pallati në pajë”, një investim ky nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar, me vlerë rreth 2 milionë euro, ndërtuar në kundërshtim me ligjin nga familja e zonjës Linda Basha, në lulishte, shesh midis pallateve, me dy leje ndërtimi që mbajnë firmën e z. Rama. Mirëpo pyetjes për “pallatin në pajë”, zoti Edi Rama iu përgjigj me “transparencë” të madhe! Ai tha se shpifësit meritojnë përçmim, ndërsa publiku ka të drejtë të sqarohet. Pyetjes se, kur do ta sqaronte publikun, zoti Rama iu përgjigj thjesht: kur të dua unë. Gazetari nën zë i tha kolegut pranë tij se kjo është transparenca alla Rama, prit publik sa të piqen fiqtë dhe se, me siguri, radhën e ardhshme ky do na thote se “pallati në pajë” nuk është problemi i Shqipërisë, pikërisht ashtu sic tha ai për Barjabën para një jave. Mirëpo, pallati edhe futet në pajë, por në thes jo – vazhdoi gazetari i zhgënjyer nga përgjigja e kryetarit të PS-së! – sb”, shkruan Berisha në Facebook.