TIRANE – Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me dyer të mbyllura me diplomatë të huaj, të akredituar në Shqipëri. Në takimin që u zhvillua në Hotel “Tirana” sekretari socialist njoftoi përfaqësuesit e ambasadave të ndryshme për përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit. 

Pas takimit, deputeti socialist bëri me dije për mediat se diskutoi me diplomatët vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’iu drejtuar Kuvendit në lidhje me shpërndarjen e mandateve. 

“Nuk mund te pranohen mandatet që s’përfaqësojnë barazinë e përfaqësimit, nuk anashkalohet KQZ dhe as Kuvendi të përdorë mandate të 2009 për mandatet e reja për zgjedhjet e qershorit të 2013. Kjo do të ishte goditje e Kushtetutës, ilegalitet që në fillim të zgjedhjeve që vë në rrezik zgjedhjet”- tha Gjiknuri. 

Sipas Gjiknurit, administrata e KQZ-së nuk mund të përdoret në interes të një partie. Në këtë drejtim ai ka kujtuar edhe shqetësimin e dhënë nga ambasadoret e huaj për politizimin e KQZ. 

“Nuk ka projektvendim të KQZ, ligji e thotë qartë, mandatet shpërndahen pasi KQZ të ketë marrë vendim, ka disa kritere për këtë çështje dhe ai i barazisë është themelor”- tha Gjiknuri. 

Ditët e fundit, kritika për mënyrën se si po procedon KQZ ka shprehur edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Gjatë konferencës së parë për këtë vit, në “Facebook”, Arvizu tha se: “Jam pak i shqetësuar rreth KQZ. Kanë qenë çështje që më kanë habitur, pasi kanë qenë çështje administrative, të cilat janë politizuar. Kjo nuk do të ishte ogur i mirë për zgjedhjet e 23 qershorit”. 

E gjithë kjo situatë parazgjedhore, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve pritet u diskutuan në takimin e Gjiknurit me diplomatët e huaj. Një çështje tjetër që shkaktoi reagime nga ana e PS-së ishte edhe vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor, i cili pranoi pjesërisht kërkesën e administratës së KQZ-së për rritjen e numrit të KZAZ-ve në 89 të tilla në të gjithë vendin. Partia Socialiste e vlerësoi vendimin si interpretim të gabuar dhe që kapërceu kufijtë e ligjit. 

Ky nuk është takimi i parë i Gjiknurit me të huajt. Shpërndarja e mandateve parlamentare për zgjedhjet e vitit 2013 ka qenë në qendër të takimit të Gjiknurit me të huajt edhe në fund të vitit të shkuar.