TIRANE– Pronarët e lojërave të fatit dhe kazinove në Tiranë duket se preferojnë të paguajnë taksën, sesa ta zhvendosin në Shkozë aktivitetin e tyre.
Nga data 1 janar ka hyrë në fuqi detyrimi i ri tatimor vendosur nga Bashkia për këto subjekte, i iniciuar nga impakti negativ social që kanë këto biznese. Siç raporton gazeta “Panorama” subjektet e interesuara për të rinisur punën te ish-Uzina e Autotraktorëve, ku nuk do ta paguajnë këtë taksë, janë të pakta.
Gjithsesi, ato do të kenë afat deri në shtator për të ndryshuar destinacionin e aktivitetit të tyre. Nëse respektojnë këto afate, do të mund të përfitojnë nga rimbursimi, i cili varion nga 50%-100%.
Sipas drejtoreshës së tatim- taksave në Bashkinë e Tiranës, Andia Pustina, me vjeljen e kësaj takse, pushteti lokal parashikon të fusë në arkën e vet 600 milionë lekë të ardhura.
“Me nivelin e taksës, e cila ka hyrë në fuqi nga data 1 janar 2013, parashikojmë që në arkën e Bashkisë të futen vetëm nga këto subjekte rreth 600 000 000 lekë. Strukturat e Bashkisë dhe organeve të tjera kanë marrë të gjitha masat për ta vjelë këtë taksë për të gjitha sallat e lojërave të fatit që operojnë në qytetin e Tiranës në bazë të tarifave të vendosura nga Këshilli Bashkiak. Aktualisht, sipas Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licencuara, me 81 salla me kompjuterë dhe makina elektronike, 7 subjekte të licencuara për baste sportive, me 801 pika shitjeje si dhe 10 bingo”- thotë Pustina.