TIRANË- Në një intervistë për Deutsche Welle-n, ministri i Jashtëm Edmond Panariti e ka cilësuar akt absurd, veton që sipas tij, opozita shqiptare vuri për 3 ligjet që do mundësonin marrjen e e statusit të vendit kandidat. 

“Përmes një akti absurd, të konsumuar nga një veto e pakuptimtë nga ana e opozitës, politika shqiptare shndërroi një realizim, pra rekomandimin për dhënien e statusit, në një mosrealizim në mosmarrjen e tij ashtu sikundër pritej në dhjetorin e vitit të shkuar. Kjo u arrit duke bllokuar miratimin e dy ligjeve dhe të një rregulloreje, si pjesë e detyrimeve që mbeteshin për t'u plotësuar pas rekomandimit të Komisioni Evropian. Ajo që e bën të pakuptimtë këtë akt pengues të miratimit të dy ligjeve dhe të rregullores, është se të dy palët nuk kishin asgjë me thelbin dhe përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe madje kishin arritur konsensus të plotë në procesin e diskutimit dhe aprovimit paraprak të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare. Pra, nuk ekzistonte asnjë arsye që këto ligje të mos miratoheshin me tre të pestat e votave në Kuvend, ashtu sikundër ndodhi në qershor me ligjin për Kodin Zgjedhor dhe ligjin për kufizimin e imunitetit për zyrtaret e lartë dhe gjykatësit. Por për fat të keq arsyeja u gjend të mosarsyeja si pretekst i bllokimit të procesit. Zhbllokimi mbetet thjesht peng e vullnetit politik deri tani të munguar. Votimi sa më parë i tri ligjeve do t'i krijonte Shqipërisë, shansin për ta marrë statusin e vendit kandidat në pranverë, pra, para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare”, tha Panariti. 

Ministri Panariti ka komentuar edhe vizitën e tij zyrtare në Greqi, ndërsa ka shtuar se ajo ka hapur një kapitull të ri marrëdhëniesh mes dy shteteve. 

“Vizita ime zyrtare në Greqi, synoi dhe arriti të hapë një kapitull të ri të marrëdhenieve midis dy vendeve në frymën e diskutimit të hapur, bashkëpunues dhe jo paragjykues të çështjeve të së kaluarës dhe të atyre të aktualitetit. Synojmë që këtë frymë të vullnetit të mirë për bashkëpunim, ta materializojmë me nënshkrimin së shpejti të marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e njohjes reciproke të pasaportave dhe dokumentave zyrtare, duke arritur një qëndrim të unifikuar për sa u takon toponimeve të përfshira në këto dokumente. Kjo do të hiqte plotësisht pengesat e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit sipas kritereve të marreveshjes së Schengen-it. Po kështu synohet të nënshkruhen marrëveshje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve si dhe në fushën e transportit të udhetarëve. Për çështje të tjera, natyrshëm do të kërkohet më tepër kohë dhe vullnet i përbashkët për t'i vendosur në rrugën e zgjidhjes”, shtoi ai. 

Për sa i takon ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ministri Panariti u shpreh se, “ecuria e marrëdhënieve me këtë shtet do të kushtëzohet me shkallën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, përfshirjen e duhur të tyre në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, sipas detyrimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit. Kam pasur kontakte të vazhdueshme me homologun tim Popovski, si dhe me krerët e partive politike shqiptare, duke i inkurajuar t'i referohen dhe të zbatojnë detyrimet që rrjedhin për palët nga Marrëveshja e Ohrit si baza e bashkëekzistencës dhe e bashkëqeverisjes për vendin”. 

Lidhur me lobimin e Tiranës zyrtare për njohje të reja të shtetit të Kosovës, ministri Panariti u shpreh se, “objektiv i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe imi personal është intensifikimi në fillim të këtij viti i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. 

Ministri Panariti gjithashtu konfirmoi se gjatë tremujorit të parë të 2013 është planifikuar vizita e ardhshme e Ministrit gjerman Westerwelle në Shqipëri.