TIRANE – Partia Demokratike i ka kërkuar sot kreut të PS-së, Edi Rama të bëjë transparencë për historikun e ndërtimit të një pallati në pronësi të bashkëshortes së tij.

Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, bëri publike një foto të pallatit, që sipas PD-së është në pronësi të gruas së liderit socialist.

“Ne po i japim mundësi z.Rama të sqarojë publikun për pallatin 5 katësh dhe një kat nën tokë me rreth 900m katrorë sipërfaqe ndërtimi në rrugën “Qemal Guranjaku”, ndërtim i përfunduar në vitin 2010 pronë e familjes së bashkëshortes së z. Rama, Linda Basha. Partia Demokratike kërkon nga ju të sqaroni shqiptarët çështjet që vijojnë:  Cili është historiku i vërtetë i këtij pallati? A keni qenë në konflikt interesi kur ju keni firmosur si kryetar bashkie lejen e ndërtimit të këtij pallati? Sa leje ndërtimi keni lëshuar për ndërtimin e këtij pallati? A janë respektuar kushtet ligjore urbanistike në sheshin e lejes së ndërtimit dhe ndërtimin e këtij pallati? Cilët janë investitorët dhe pronarët e këtij pallati? A ka histori paje në këtë pallat dhe në rast se po, sa është pjesa që ju dhe bashkëshortja juaj keni marrë si pajë?”,- tha zëdhënësja Bardhi.