TIRANE – Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi të zhvillojë nesër në mesditë mbledhjen, ku pritet të vendosë procedurat e emërimit të administratorit publik për CEZ-in.
Mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej sot me temë “Mbi procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij, në zbatim të nenit 18, pika 4/c të Ligjit nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Bordi i Komisionerëve të ERE-s do të vendosë rregullat, me të cilat do të zgjidhet një administrator për kompaninë e shpërndarjes së energjisë, me qëllim, vijimin e punës në të.
Drejtori juridik i ERE-s, Eduard Elezi ka siguruar së fundi në media se nese do të vendoset heqja e licencës për CEZ-in, do të garantohet furnizimi me energji pa ndërprerje për konsumatorët.
Pas këtij hapi, Bordi i ERE-s do të dalë me një vendim ndaj kompanisë CEZ pas datës 20 Janar për dy licencat qe ka sot kompania CEZ Shpërndarje. ERE nisi në Nëntor 2012 procedurat për t’i hequr dy licenca CEZ-it: të shpërndarjes dhe të tregtimit me pakicë.
ERE ka monitoruar muajt e fundit punën e kompanisë së shpërndarjes së energjisë CEZ dhe ka konstatuar performacë jo pozitive.
"Ka grupe monitorimi nga ERE-ja dhe konstatohet, qe kompania nuk performon ne atë që ne prisnim për 2 licencat që ajo mban", është shprehur Elezi.
ERE sipas ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ka lënë një afat 30-ditor CEZ-it për të reflektuar dhe reaguar me përmirësimin e performances së saj dhe 60 ditë më parë e ka njoftuar për heqjen e licencave.