TIRANE – Partia Socialiste e cilëson se absurde dhe të patolerueshme, vonesat e pagave të 90 mijë punonjësve të administratës shtetërore, mësuesve dhe infermierëve. Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, në një dalje publike nga selia rozë ka theksuar se justifikimet e ministrit të Financave Ridvan Bode dhe alibia e radhës e kryeministrit Sali Berisha, bëjnë më të qartë faktin se ky shtet nuk ka para.

“Nuk është e nevojshme të jesh ekspert financash për të kuptuar se këto justifikime qesharake që shumëzojnë me zero njëri tjetrin, janë thjesht tentativa për të fituar kohë e për të fshehur një të vërtetë që tanimë po e mësojnë në kurriz të tyre edhe punonjësit e administratës: Shteti nuk ka para. Shteti nuk ka më para dhe politika fiskale e qeverisë të Sali Berishës tanimë ka vetëm një emër: Shtyje ta shtyjmë”,- u shpreh Gjermeni.

PS i ka kërkuar ministrit Bode dhe Kryeministrit Berisha të zgjidhin sa më parë situatën dhe mos të kapen pas argumenteve absurde.

“Kjo situatë tregon fare qartë se në ç’derexhe është katandisur sot shteti shqiptar si pasojë e keqqeverisjes së qeverisë së Sali Berishës. Dhe situata bëhet akoma më absurde kur dëgjojmë kryeministrin qeveria e të cilit s’ka më para as për të paguar rrogat, që na krahason me Gjermaninë për rritje ekonomike, na shpall të katërtët në botë për rritjen e mirëqenies e të trumpetojë rritjen e rrogave e pensioneve. Ne i kërkojmë Ministrit Bode dhe Kryeministrit Berisha që të lënë mënjanë justifikimet e që ta zgjidhin këtë situatë absurde, sepse punonjësit e administratës publike dhe dhjetëra mijëra familje shqiptare që mbijetojnë me këto rroga nuk kanë pse vuajnë në kurriz papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie”,- ka përfunduar Gjermeni.