TIRANË – Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit, Nasip Naço ka zhvilluar një debat me pyetje-përgjigje në kohë reale në rrjetin social "Facebook". Gjatë këtij komunikimi, Naço deklaroi se LSI do të bëjë koalicion në zgjedhjet e ardhshme me të gjithë ato që kanë prioritet të tyre punësimin e të rinjve dhe integrimin e vendit. 

Duke vlerësuar bashkëpunimin me PD-në, ai tha se "ne për të qenë të sinqertë i qëndrojmë marrëveshjes që kemi bërë në vitin 2009 me Partinë Demokratike. Kemi krijuar një koalicion, i cili edhe në këto vite, për mendimin tim, pavarësisht momenteve të veçanta ka qenë i suksesshëm, i ka dhënë vendit një stabilitet ekonomik dhe politik" 

Ndërsa i pyetur në lidhje me kundërshtinë që i bëri LSI heqjes së një mandati të një deputeti nga Qarku i Beratit dhe nëse ka të bëjë kjo me mundësitë e pakta për LSI-në për të nxjerrë një deputet në këtë qark, deputeti i LSI-së për Qarkun e Beratit deklaroi se ky nuk është shqetësimi i LSI-së. "Unë besoj që lëvizja e një mandati nga 8 në 7 nuk e cënon fare LSI-në. Nuk është në objektivat e LSI-së. 

Si ish ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Naço u pyet edhe për marrëdhëniet që do të mbante me CEZ në situatën e krijuar. Ai iu përgjigj se "sigurisht edhe në marrëdhëniet, kur isha ministër, marrëdhëniet në bazë të ligjit, kur u bë privatizimi i kompanisë CEZ, nuk mund të them që ishte një privatizim i gabuar apo i suksesshëm, por mund të them që ka një kontratë që të gjitha palët janë të detyruara të zbatojnë, qoftë kompania CEZ, qoftë Ministria e Ekonomisë, nëpërmjet aksioneve që ka brenda kësaj kompanie”.