GJIROKASTER – Ambasadori grek në vendin tonë, Leonidas C. Rokanas, komentoi nga Gjirokastra deklaratat nacionaliste në Shqipëri e Greqi, duke theksuar se nacionalizmi ekstrem nuk i shërben të ardhmes europiane. Sipas ambasadorit grek, qarqet e caktuara nuk meritojnë mediatizim dhe nuk shprehin frymën e vërtetë të marrëdhënieve mes dy popujve.
I pyetur në lidhje me paktin detar mes dy vendeve, ambasadori Rokanas theksoi se Greqia synon t’i përballojë të gjitha problemet që lidhen me këtë marrëveshje nën frymën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe përmes dialogut të vazhdueshëm.
INTERVISTA
Cilat janë komente tuaja në raport me deklaratat nacionaliste të qarqeve të caktuara në Greqi dhe kundërpërgjigjet ndaj tyre prej qarqeve shqiptare? Në çfarë situate i vendos ky realitet i ri marrëdhëniet mes dy vendeve?
Pata mundësinë të flas me kreun tuaj të bashkisë se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet mes dy popujve të veriut të Greqisë dhe jugut të Shqipërisë dhe sesi kontaktet mund të shtyjnë përpara dhe marrëdhëniet me gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë dhe ti shërbejnë procesit të integrimit të vendit tuaj në BE. Ne diskutuam dhe çështjen nacionalizmave ekstreme që janë të pranishme në të dy vendet. Nuk doja të shprehesha mbi veprime konkrete të partive dhe qarqeve konkrete në të dy vendet por nacionalizmi ekstrem nuk I shërben të ardhmes europiane. Komentet e mëtejshme nuk do të ishin në nderin e pozicionit tim. Dua të përqendrohem për të theksuar se prioriteti ynë është mbështetja e frymës së bashkëpunimit mes dy vendeve me mënyra praktike dhe mbështetja e hapave të Shqipërisë drejt BE.
Nëse flasim për qarqe ekstremiste e kemi fjalën për “Aleancën Kuq e zi “ dhe “Agimin e Artë” dhe si po ndikojnë ato në marrëdhëniet mes dy vendeve?
Unë do t’iu përgjigjem duke thënë atë që ne duam dhe ne duam siç ju thashë më lart që marrëdhëniet tona të përmirësohen e të thellohen. Përpjekjet drejt BE përjashtojnë thirrjet nacionaliste nga të dy vendet. Qarqet e caktuara nuk meritojnë mediatizim dhe sigurisht që nuk shprehin frymën e vërtetë të marrëdhënieve mes dy popujve.
Athina zyrtare i ka mëshuar së fundmi paktit detar , cili është opinion juaj lidhur me këtë çështje?
Kjo nuk është një çështje që është ngritur kohët e fundit por një çështje e rëndësishme që ka ekzistuar prej një periudhe më të gjatë. Mbi kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është realizuar tashmë një marrëveshje. Vullneti ynë lidhet në vijimësi me dëshirën për ti përballur të gjitha problemet që lidhen me këtë marrëveshje nën frymën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe përmes dialogut të vazhdueshëm.